Sa nje kafe nga Iva

Mamma mia! Këta po që dinë të bëjnë filma (thuajse) për të gjithë

Nga Iva Tiço / Here we go again! Ja pra, ku jemi sërish. Ata në ishujt grekë, ne në kinema.

Abba-t janë po ato, bashkë më kostumet, ngjyrat, ritmin.

Mamma Mia, Here we go again, sapo ka dalë në kinema, si një vazhdim i filmit të parë dhe ndonëse gjinia “musical”, nuk është se është e parapëlqyera e publikut shqiptar, sallat e kinemave mbushen në disa orare. Sepse ndryshe nga dhjetë vite të shkuara, kur “Mamma mia” bëri për vetë një dorë nostalgjikësh shqiptarë, që në fund të ‘80-ës dhe fillim të ’90-ws bënin “disco” nëpër shtëpi gjatë paradites me xhamat errësuara me batanije, duke kërcyer “Gimme gimme a man after midnight”, tanimë në kohën e rrjeteve sociale, trailerat e filmit të shpërndarë kudo, e kthejnë vajtjen në kinema në një ‘must’ për të gjithë, nostalgjikë apo jo qofshin.

Dhe… here we go again! Ja ku jemi në sallën e kinemasë, ku flitet gjatë gjithë kohës me zë të lartë (shoqja ime e ngushtë ende nuk arrin ta kuptojë, se pse këta njerëz nuk rrinë më mirë në ndonjë kafene, se kushton dhe më lirë). Por fakti që të tjerët flasin në një film të tillë, kthehet në avantazhin tonë: mund të këndojmë (për fat të keq, jo mesa kemi në kokë) të gjitha këngët që i dimë përmendësh.

Dhe filmi do t’ia vlente ndoshta edhe vetëm për këngët. Dhe për të parë atë ishull të bekuar grek, që herë të duket si ca vende në Qeparo e herë si në Gjipe, e që në fund të bën të vrasësh mendjen: po këtu tek ne, pse askush nuk bën si ky hoteli që Sofia (Amanda Seyfried) po e përuron për të ndjekur ëndrrën e të ëmës, Donës (Meryl Streep) dhe që në film ka një vit që ka ndërruar jetë…

Vdekur?! Mos, zhgënjimi më i madh! Pastaj në dialog me Pierce Brosnan, del që as dy baballarët e tjerë të Sofisë (po ti që ke shkuar në kinema për të parë Colin Firth?!) nuk do jenë në këtë inaugurim, sepse kanë impenjime të tjera. Mendon se kështu shkojnë këto seritë e dyta, me aktorë që nuk pranojnë të vazhdojnë të bëjnë kontratë të re dhe që skenaristët i vdesin ose i bëjnë të kenë punë (dhe këtu mendon që sa mirë që nuk u bë “Sex and the city 3”, Samantha e vdekur nuk mund të ishte një opsion).

Por muzika dhe ngjyrat të bëjnë t’i harrosh mungesat. Kthimi pas në kohë, për të ndjekur jetën e Donës dhe tre djemve, me të cilët ajo kalon nga një lidhje të shkurtër, është kaq zbavitës. Siç janë zbavitëse dhe dy shoqet në moshë të re apo dhe batutat e tyre cinike kaq vjet më vonë. Apo skenat plot humor. Me gjithë ca gjëra që nuk shkojnë (personazhe që flasin me aksent britanik kur janë të rinj dhe amerikan të rritur), me gjithë ndonjë pasaktësi kohore e me gjithë portokajtë që zverdhin kur duhet të ishin të gjelbër, filmi prapë është kaq i bukur! Ia vlen, sepse të kujton atë kohë kur muzika e ABBA-ve çmendte kërcimet e brezit tonë, që nuk kishin nevojë për alkool; të kujton kohën, kur kërcehej prej vërteti dhe jo duke ngritur vetëm një gisht lart e duke e lëvizur sipas ritmit; të kujton kohën kur sajoheshin veshje me ngjyra me fare pak lekë dhe kur vetë rrobat nuk kishin sipër emra dhe mbiemra…

Pastaj pret edhe që të dalë Cher. Do duhet të presësh pak, plot një orë e gjysmë, derisa sa ajo të mbërrijë me helikopter (siç i takon një të sërës së saj!), me një parukë të madhe të verdhë dhe kanotieren me xixa… Tre-katër veta në rreshtin përpara, mesa duket nuk e presin dot kaq gjatë dhe kanë ikur me kohë … Ose e kuptojnë në kohë që kanë ardhur në filmin e gabuar dhe shkojnë të bisedojnë me siguri në ndonjë kafene. Por, dy adoleshente, ngjitur me ne, nuk dorëzohen kollaj: qëndrojnë stoike, duke bërë live në instagram dhe pastaj selfie, ndërsa vijojnë pësh-pësh-pëshet gjithë kohës, ndërsa unë dhe shoqja ime marrim liri për të kënduar “Fernando” me zë pak më të lartë. Intepretimi më i bukur që i është bërë ndonjëherë asaj kënge! Shumë më mirë nga origjinali i ABBA-ve (nga Cher në film sigurisht, largqoftë të dëgjohej zëri jonë!). Dhe është kaq bukur, sa e gjej veten duke menduar: e punë e madhe që është hekurosur me lifting! Dreqi e mori, ka shtrirë gjithçka, por nuk është fryrë e shformuar. Nëse shtatëdhjetë vjeç do të bëhemi si Cher, epo mirë se të vijnë edhe të 70-at!

Do jetë meritë e filmit, që kam këtë dozë optimizmi. Ose ndoshta se Colin Firth më në fund vjen. Dhe pastaj fare, në fund, shfaqet dhe vetë Meril Streep, në një duet me Amada Seyfridge, në atë kishëzën e bukur në majë të kodrës, në pagëzimin e djalit të sapolindur të së bijës…  Ajo shfaqet si nga bota tjetër dhe të prek pafund, por për fat na rrëshket vetëm nga një lot, se adoleshentet ngjitur me ne ngrejnë pandehmën që dikush do ketë vdekur në lindje… (mirë që nuk paskan parë filmin e parë, po si ka mundësi që nuk kanë kuptuar asgjë edhe nga i dyti?).

Por dhe skenaristi vetë ka menduar që filmin të mos e mbyllë me trishtim (jo të gjithë kanë kaq fat, sa të kenë në kinema fqinjë si ato çupkat e vogla). Në një skenë festive, si një lojë e madhe, shfaqen të gjithë bashkë: personazhet kur kanë qenë në moshë të re dhe ata të vjetër, të vdekur e të gjallë, Cher që i bie të jetë mamaja e Meryl Streep, e që ngjan në fakt si e bija dhe Colin Firth, që këndon e kërcen me Pierce Brosnan (oh! – themi ne të dyja njëkohësisht). “Sa i mirëëëë ky! Super cool), thotë adoleshentja ngjitur… Dhe mezi e kuptoj që e paska për një djalosh një quhej Skai…

Dhe teksa dalim nga salla, i dëgjoj sërish teksa thonë që filmi ishte shumë i bukur, me celularin ndezur, drejtuar nga vetja…

I bukur për to dhe njëkohësisht i bukur për ne?! Ekuacion i vështirë. Ndoshta janë kënaqur dhe ato, me të vetën… Sepse me siguri që gjithë të tjerët, që e kanë kaluar adoleshencën dhe rininë pa celular në dorë, duke kërcyer prej vërteti dhe të veshur me rroba që nuk kishin sipër emër dhe mbiemër “Mama mia, here we go again” i ka bërë plotësisht për vete. Aq sa të shpresojnë që do ketë vertet edhe një të tretë, pa skenaristët le të vdesin kë të duan (largqoftë Colin Farrell dhe Pierce Borsnan!). Tiranapost.al