Sa nje kafe nga Iva

Kur vera pritet të të mbërthejë me ethet e Elena Ferrantes

Nga Iva Tiço/Kur vite më parë lexova të shtatin dhe të fundit vëllim të Harry Potter dhe në fund ndjeva një zbrazëtirë të madhe, kur kuptova se nuk do të kisha me mundësinë të përjetoja atë pritjen e bukur të marrjes në dorë të librit të ri, iu zotova vetes që nuk do bija më në të tilla ngasje, lexime librash, që kur mbarojnë të krijojnë atë vartësinë e pritjes së tjetrit. Por nuk kisha llogaritur këtu Elena Ferranten. Po ashtu si dikur me Harry Potterin e shkrimtares J.K.Rowling (a mos po bëhem paksa feministe, duke menduar se vetëm gratë shkrimtare dinë të të ngrenë pusi kaq të bukura?!).

“Mikeshën gjeniale”, romanin e parë të sagës katërvëllimëshe, e paragjykova duke parë bujën në internet, qoftë edhe për shkak të misterit që rrethonte autoren italiane, që kishte zgjedhur të shkruante me pseudonim. Ndaj edhe librin që ma kishin dhuruar në panair, në nëntor, e mbajta për muaj me radhë në stivën e librave të palexuar, për ta lënë për verën pasardhëse, sipas mendësisë së përgjithshme se librat best-seller, ata që ne i quajmë të lehtë, janë të përshtatshëm për plazh.

Për të kuptuar më pas që Ferrante të përpinte dhe të bënte të bukur jo vetëm plazhin, por dhe ditët e dimrit (në plazh rriskon të marrësh djegie, sepse rri gjatë në shezlong pa u futur në det. Ferranten nuk e lë dot dhe të ikësh). Ok, nuk është letërsi e madhe (sipas asaj që kuptoj unë me letërsi të madhe), nuk është nga ata libra që të ndryshojnë jetën, që të magjepsin sesi shkrimtari jep mesazhe të mëdha me një thjeshtësi që të duket se mund ta shkruaje edhe ti, as nga libra ku shkrimtari është aq gjeni, sa të bëjë një gjetje të jashtëzakonshme apo ta përthyejë kohën si magjistar, as nga ata libra ku përthyen faqe dhe nënvizon rreshta, që mund të shndërrohen në citate. Dhe çuditërisht është nga ata libra ku nuk mund të indentifikohesh me asnjë nga personazhet dhe që të hedh poshtë bindjen e Orwell-it, se librat që na pëlqejnë më shumë janë ata që na duket sikur mund t’i kishim shkruar vetë. E megjithatë, të tërheq pa masë. Ndoshta sepse duke mos u identifikuar me asnjë nga dy heronint, ti gjen pjesë të vetes nga të dyja. Ose, sepse deri në vëllimin e tretë (i katërti del këtë javë), nuk e ndan dot se cila nga dy mikeshat, miqësia e të cilave zë fill qëkur janë ende të vogla, është e mira dhe cila është e keqja, duke zbuluar se dhe ti në momente të ndryshme të jetës mund të kesh qenë e mirë, e keqe, ziliqare, e dhembshur, tradhtare, e tradhtuar, përfituese, altruiste, dembele, e zonja, dinake, naive… Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Kështu janë të gjithë.

I vendosur fillimisht në Napoli, diku në vitet ‘50, teksa dy protagonistet janë të vogla, libri të kujton mjaft nga fëmijëria jonë e viteve “80. Gati-gati e njëjta skamje, e njëjta dhunë mes fëmijëve, e njëjta mizerje dhe zymtësi, me një ndryshim të vetëm: prindërit tanë, ndryshe nga të protagonisteve, bënin çmos që vajzat t’i mirëshkollonin. Ndërsa Ferrante, bashkë me historinë e dy vajzave, Lena dhe Lila, në tre vëllimet e para, bën dhe histori të feminizmit por dhe të modernizimit të Italisë, e bashkë me të të shoqërisë, të mëson se si shumë liri që sot i marrim të mirëqena, që nga të drejtat e grave deri tek ato të punëtorëve, kanë ardhur pas shumë përpjekjesh (qenkam bërë feministe pra!). Për  të gjitha këto bashkë, plus dhe për më të rëndësishmen, faktin që kemi të bëjmë me një shkrimtare që di të rrëfejë gjatë e me detaje, si romancierët më të mirë klasikë, të katër romanet e kanë plotësisht të justifikuar suksesin mbarëbotëror. Dhe kjo nuk ka lidhje me anonimatin e shkrimtares: nëse do të kishte qenë thjesht gjetje publicitare dhe nuk do të kishim vërtet libra të mira, do ishte shuar me kohë si trend. Dhe nuk do të na bënte kurrsesi të meziprisnim botimin e librit të radhës. Dy shoqe të miat nuk i kanë bërë ballë tundimit dhe shuarjes së kurreshtjes dhe e kanë lexuar me një frymë në italisht. Unë pres ta shijoj në një shqipe jashtëzakonisht të mirë të botimeve Pegi. Janë tre vëllime të botuara deri tani “Mikesha Gjeniale”, “Mbiemri i ri”, “Histori arratie e qëndrese”, ndërkohë “Historia e vajzës së humbur”, i katërti dhe i fundit i Sagës së Elena Ferrantes, pritet të dalë këtë javë.  Fiks në kohë për të të mbërthyer në shezlong. Dhe për të të lënë në fund zemërthyer: Lena dhe Lila nuk do kenë më ç’të na rrëfejnë. Vera e vitit tjetër do të jetë e thatë.