Sa nje kafe nga Iva

Dashuria në kohërat e azilit

Dashuria në kohërat e azilit

Mosha e tretë rrallë bëhet lajm portalesh. Zakonisht kjo ndodh për fatkeqësi. Si ajo e disa ditëve më parë, kur një çift të moshuarish u gjetën të vdekur poshtë pallatit të tyre dhe ndonëse rrethanat janë ende të paqarta, shkruhet se i kanë dhënë fund jetës edhe pse fëmijët i kishin sistemuar të dy në një apartament të ngrohtë… Lajmi i dytë më doli përpara sot dhe megjithëse mua m'u duk me titull romantik, me dy të të moshuar që ishin dashuruar në “azil”, në ato pesë rreshta lajm historia e dashurisë ishte përshkruar si diçka e trishtë vetëm sepse ishin theksuar e ritheksuar fjalët azil, braktisje, dëshpërim…

Është mentalitet i përgjithshëm në Shqipëri, gati-gati në kufijtë e turpit ky i “të përfunduarit” në azil. Ajo që për gjithë botën është gjëja më normale, e që siguron një jetësë dinjitoze dhe përkujdesje shëndetësore në vitet e fundit të jetës, këtu tek ne përkthehet thjesht si “braktisje”. Dhe kjo nuk ka dhe aq të bëjë dhe aq me kushtet e këtyre shtëpive të të moshuarve, që edhe pa i parë nga afër mendohet të jenë “kushte Shqipërie”, si çdo gjë tjetër shtetërore në këtë vend. Por ka të bëjë fillim e fund me çështjen e mentalitetit, pasi po të kthehemi pas në kohë, përpara viteve ’90, kur shtëpitë e pleqve dhe të fëmijëve qoftë dhe për efekt të propagandës që dëshmonte “dorën e ngrohtë të Partisë” kishin kushte edhe më të mira sesa shumë shtëpi shqiptarësh, shumë pak të moshuar e ngrysnin jetën në to. Përpos rasteve kur vërtet nuk kishte zgjidhje tjetër, kur asnjë nga nipërit apo mbesat nuk të merrte në shtëpi për të pleqëruar, pakkush "përfundonte" në azil. Dhe tamam kjo fjalë përdorej dhe përdoret ende dhe sot e kësaj dite: të përfunosh në azil është si të pranosh që nuk të duan, se je njeri pa njeri, i braktisur.

Me këtë mentalitet me mijëra prindër shqiptarë bëjnë sot llogaritë e një jetese në kushte ndoshta edhe më të keqija se të azilit. Ose edhe në kushte më të mira ekonomike, por në vetmi të tmerrshme. Nuk është më koha e dikurshme, kur familjet jetonin të gjitha bashkë, pranë e pranë. Sot fëmijët mund ta kenë ndërtuar jetën me mijëra kilometra larg, por mund të jenë edhe qindra metra afër dhe gjithsesi i sheh rrallë me sy. Ndërsa mentaliteti i jetëses është bërë “si jashtë shtetit”, ku çiftet jetojnë më vete, kur vjen puna për prindërit llogjikohet si puro shqiptarë: është turp të përfundosh në azil. Këtë nuk duan ta diskutojnë as të rinjtë, as të vjetrit, nuk është opsion. Nëse unë dhe miqtë e mi, me ose pa fëmijë, mes shakash apo gjysmë planesh flasim për një kohë kur do jemi të gjithë bashkë në ndonjë azil (na ngushëllon ideja se deri atëherë do jenë ndërtuar të tillë privatë, ose ndonjë film që kemi parë me të tilla shtëpiza me pishina), për prindërit askush nuk e mendon. Ndokush, mirë keq, jeton ende me ta, të moshuarit sërish kalojnë shumë kohë vetëm ndërsa nuset dhe djemtë janë nëpër punëra, bëjnë vetë dhe shumë punë apo mbajnë fëmijë në moshën kur duhej të shlodheshin. Të tjerë bëjnë llogaritë si të kujdesen nga larg, nëse mund t’u paguajnë ose jo dikë që t’u shërbejë. Po ata që s’kanë mundësi?! Epo nuk e di se çfarë bëjnë, preferoj të mos e mendoj shumë dhe t’i shmang lajmet e trishta me të moshuar të braktisur, sepse kur vjen puna tek kjo moshë, më këputet shpirti më shumë sesa për fëmijët. Më ndodhi disa javë të shkuara, teksa drekoja në një restorant në zonën e Tiranës së Re, të shihja një zotëri të vjetër në moshë që u rrëzua sepse nuk e mbajtën këmbët… Pasi e ngritëm bashkë me shoqen time dhe e pyetëm nëse kishte nevojë për gjë, mërmëriti si i zënë në faj “jo, se këtu lart e kam shtëpinë. Dola të blej pak qumësht, se jetoj vetëm…”. Për ditë me radhë më kapte e qara kur e kujtoja: dikush që jeton aty i bie të ketë një apartament që kushton nja tetëdhjetë mijë euro, edhe nëse është i vjetër. Një apartament që dikush, më vonë, do ta trashëgojë, ndërkohë që një i moshuar shtyn ditët e fundit në një jetesë të vështirë në kohën kur çdo moshatar i tij në botë do të jetonte shumë më mirë me lekët e atij apartamenti. E di që është kollaj të bësh llogaritë e të tjerëve dhe të arrish në përfundime, ndoshta historia e atij zotërie nuk është kaq e trishtë (shpresoj të mos jetë i vetmuar), por e di ndërkohë që kjo është një nga gjërat më normale për prindërit shqiptarë, të brezit afër prindërve të mi: pasi kanë sakrifikuar për fëmijët në një kohë kur mungonte thuajse gjithçka, pasi kanë bërë çmos që t’i shkollojnë sa më mirë, ndodh të mbeten vetëm sepse fëmijët jetojnë larg dhe megjithatë kujdesen që t’u lënë trashëgim edhe apartamentet… Për të mos turpëruar fëmijët që të marrin barrën e “të përfunduarit në azil”, bëjnë edhe sakrificën e fundit: përfundojnë të vetmuar e pa kujdes. Kurse brezi im së paku e di ç‘e pret, ndaj dhe më duket kaq romantik lajmi i dy të moshuarve që janë dashuruar dhe nuk e kuptoj pse duhej shkruar në mënyrë aq të trishtuar… Dashuria është lajm i bukur në çdo moshë dhe jetesa me moshatarët, qoftë dhe në azil, duket skenar më i lumtur sesa braktisja brenda një apartamenti. Të lutemi vetëm që deri sa të shkojmë në atë moshë, të jenë rregulluar kushtet.