
Mediat televizive vendase shkruajnë se Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka refuzuar lejen mjedisore pas kërkesës së bërë nga shoqëria koncesionare AYEN-ALB në fillim të vitit.
Hidrocentrali i Kalivaçit flitej se do të ndërtohej mbi lumin Vjosë, që nuk është shfrytëzuar për nxjerrjen e burimeve energjetike dhe ndërtimi i hidrocentraleve në të rrezikonte të prishte florën dhe faunën e zonës.
Klan shkruan se fuqia e instalimit të hidrocentralit të Kalivaçit është 111 megavat, ku parashikohej një prodhim vjetor energjie prej 366 gigavat/orë me një vlerë investimi 125 milionë Euro.
Fillimisht, kontarata koncesionare iu dha në vitin 1997 kompanisë me emrin Hydro SRL. Por me një vendim, qeveria e prishi kontratën në vitin 2017 për shkak se kjo kompani nuk arriti të kryente punimet në afat.
Një tjetër projekt për ndërtimin e një hidrocentrali në këtë lum është ai i Poçemit, por çështja vijon betejën ligjore në gjykatë.
Kujtojmë se gjatë muajit shtator vetë Kryeministri paralajmëroi refuzimin e lejeve mjedisore të HEC-eve në lumin Vjosë, duke thënë se qeveria shpalli Park Kombëtar pjesën e Vjosës së Sipërme. Lidhur me këtë çështje kryeministri pati dhe replika në distancë me presidentin.
*Artikulli referuar Klan/ Tiranapost.al.