Kush po luan me zjarret dhe kush po i fik ato! Intervista për tiranapost.al me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi

Intervista e plotë
Mira Kazhani: A ka më njerëz të rrezikuar?
Ministri Niko Peleshi: Gjatë ditës së djeshme kemi pasur një vatër në Gjirokastër edhe një vatër në Vlorë. Disa vatra në Gjirokastër kanë qenë pranë zonave të banuara. Në Bashkinë e Vlorës, në fshatin Dukat, kemi pasur vatrën e Karaburunit, e cila në pjesën e poshtme u afrua pak qindra metra nga fshati Dukat. Ndërkohë edhe në lartësi, në mbi 1200 metra, pra në majën e malit ka pasur flakë, ka pasur zjarr, por që ka qenë larg zonës së banuar, por pranë Parkut të Llogarasë. Le të kthehemi tek rreziku i zonave të banuara dhe i jetëve të njerëzve, këto kanë qenë zonat: pra zona e Dukatit, që ka pasur më pranë zjarrin, si dhe fshatrat, Asim Zenel, Arshi Lengo dhe Krin në Bashkinë e Gjirokastrës.
Në fshatin Asim Zenel, si pasojë e flakëve që u afruan deri te kufiri i një banese, patëm një humbje jete, për fat të keq, të 64-vjeçarit nga ky fshat dhe lëndim të bashkëshortes së tij, e cila në këto momente ndodhet në Tiranë. U dërgua me urgjencë drejt Tiranës, pasi siç u vlerësua fillimisht ka djegur 20-30% të trupit. Për të ndjerin Andrea nuk mund ta them akoma se kush ka qenë shkaku i vërtetë, natyrisht që zjarri, por nga asfiksia apo rënia në kontakt me flakët e zjarrit, këtë nuk mund ta them me siguri, por tani kjo ka pak rëndësi. Ajo që na bën të ndihemi keq dhe të ngushëllojmë gjithë të afërmit është humbja e jetës së një njeriu. Do donim ta kishim mbyllur pa humbje jete, pa lëndime njerëzish dhe natyrisht dëmtime banesash, por jeta e njeriut është më e çmuara. Do të punojmë me forcat akoma më të shumta njerëzore, me më shumë devocion për të mbrojtur së pari njerëzit edhe pasurinë e tyre dhe pastaj pasuritë natyrore.
Zona e rrezikuar është Parku i Llogarasë, një Park Kombëtar shumë i çmuar, ku ditën e djeshme kemi mbyllur me shumë sukses, pra kemi fikur, me forca të shumta njerëzish dhe forca ajrore (helikopterë), kemi fikur vatrat që ishin më pranë Parkut të Llogarasë dhe sot po punojnë përsëri me përqendrim tre helikopterë në zonën e Karaburunit për të shmangur përparimin e zjarrit drejt parkut.
Sot jemi më optimist se dje se kemi arritur ta marrim në kontroll situatën. Në majën e malit, tek fronti i zjarrit, në kufirin me Parkun e Llogarasë ne kemi 70 trupa që janë nisur në mëngjes dhe kanë mbërritur aty. Dua të sqaroj se puna njerëzore është shumë e çmuar, e rëndësishme, e pazëvendësueshme edhe nga helikopteri apo mjete të tjera të ujit. Mund ta them me plot gojën që ka qenë një ekip i drejtuar nga komandanti i Komandës Mbështetëse për Mbrojtjen Civile, ai që punoi në majën e malit gjatë gjithë ditës së djeshme, çelësi i suksesit në Karaburun.
Mira Kazhani: Pashë disa meme për lopatat? Apo ju nuk i sqaroni memet? Në fakt a është luftuar kjo situatë me mjetet e duhura?
Ministri Niko Peleshi: Memet janë të mirëkuptuara. Natyrisht me botën e memeve nuk mund të merremi dot se nëse bie në rrjetën e memeve nuk mund të ngrihesh dot më. Memet nuk janë institucione, nuk janë struktura, nuk mbajnë përgjegjësi për atë që thonë. Jemi në një botë të lirë të mendimit edhe të shprehjes edhe të humorit, kështu që nuk kam çfarë të them për memet. Por kam çfarë të them për ata që bëhen më keq se memet, ndërkohë që kanë përgjegjësi institucionale mbi shpatulla. E kam fjalën për drejtues të opozitës, sepse opozita është një institucion shumë i rëndësishëm krahas institucioneve të tjera të shtetit edhe opozita vetë është një institucion që ka një rol jo destruktiv për të luajtur, por konstruktiv të çmuar, por edhe për drejtues të shtetit për fat të keq, që e kanë mundësinë të marrin konsulencë përpara se të flasin, për të mos folur budallallëqe.
Lidhur me mjetet nëse janë përdorur mjetet e duhura apo mjete rrethanore, mjafton ta njohësh pak më nga afër punën që bëjnë ushtarakët, Forcat e Armatosura, por edhe struktura të tjera të Mbrojtjes Civile dhe të zonave të mbrojtura, në frontin e përballjes me zjarrin dhe e kupton që në disa rrethana, nuk ka asnjë mundësi tjetër, mbase përveç lopatës xheniere, për t`iu ngjitur majës së malit, që në rastin e Karaburunit është rreth 1200 metra mbi nivelin e detit dhe që nuk ka asnjë rrugë tjetër komunikimi përveçse të ecësh për 3-4 orë në këmbë, derisa të arrish në vijën e zjarrit me të cilën duhet të përballesh centimetër pas centimetri. Unë nuk besoj që ka ndonjë shpikje teknologjike deri tani të cilën mund ta marrësh me vete në kurriz dhe të përballesh me zjarrin, përveç atyre mjeteve që janë të transportueshme, si lopata xheniere dhe të tjera.
Të tallesh me ushtarin pasi i është ngjitur 4 orë malit dhe pastaj për orë të tëra është përballur me zjarrin është turp, sidomos kur përfaqëson një institucion.
Po i rikthehem edhe njëherë asaj që thashë më mjetet. Ajo që thashë më sipër nuk duhet të përkthehet sikur ne kemi të gjitha mjetet dhe kapacitetet pa limit, që na duhen në këtë rrethanë. Madje nuk mendoj as që ekziston ndonjë shtet, sado i fuqishëm, që në rastet e emergjencave masive siç mund t`i konsiderojmë zjarret në këtë sezon, të ketë kapacitete të mjaftueshme për t`u përballur me çdo vatër sapo ajo lind. Ne kemi qenë dinjitozë në përballjen e kësaj emergjence dhe do vazhdojmë të jemi. Nuk kemi kursyer as forcat tona njerëzore, kemi pasur rreth 500 trupa dje vetëm në Qarkun e Vlorës. Nuk kemi kursyer dhjetwra mjete zjarrfikës. Nuk kemi kursyer as kapacitetet ajrore, qofshin këto të forcave të armatosura apo të kontraktuara në ndihmë edhe nga tregu. Sot që flasim punojnë tre helikopterë vetëm në zonën e Vlorës. Dje në Gjirokastër kanë punuar dy helikopterë, natyrisht do donim do kishim 20, të kishim 30. Edhe 30 do ishin të pamjaftueshëm. Ashtu sikundër për shembull fuqi si Turqia me mjete shumë herë më shumë se ne, nuk ka mundur dot ta përballojë emergjencën me sukses, për shkak se e tillë është natyra e kësaj emergjence.
Pra do donim të kishim më tepër, por mbi të gjitha kemi vënë dedikimin tonë. I kemi përdorur pa kursim edhe pa vonesë mjetet tona. Nuk jemi një ushtri e papajisur, nuk jemi vulnerabël në mjete. Le ta nisim nga rezultati. Nëse gjykojmë rezultatin e ditës së djeshme qoftë në Gjirokastër, në Karaburun, qoftë në Pashaliman, ku është shmangur një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme gjatë orëve të natës, duhet thënë që Forcat tona të Armatosura në koordinim dhe me pushetin vendor dhe forcat e tjera të mbrojtjes civile dhe të zonave të mbrojtura ia kanë dalë me sukses, edhe deri tani me dëme shumë të vogla materiale, por natyrisht me një jetë të pazëvendësueshme njeriu që nuk do donim ta kishim humbur kurrsesi. Në shtete të tjera, jo për ngushëllim, po për hir të së vërtetës, përmasat e emergjencës kanë qenë shumë më të mëdha se kjo.
Mira Kazhani: Po me shpirtin e duhur?
Ministri Niko Peleshi: Dua t`ju them që kam përjetuar momente shumë emocionuese gjatë këtyre ditëve. Natyrisht beteja vazhdon. Momente emocionuese kur kam parë djem dhe vajza të reja që nuk kanë marrë parasysh as rrezikun kërcënues për jetën e tyre dhe me shumë devocion mbi të gjitha me dashuri për vendin janë përballur me rrezikun e madh. Sot flisja me Idrizin, një ushtarak që më ka ngelur në mendje dhe më ka bërë shumë përshtypje, i cili drejton Komandën Mbështetëse për Mbrojtjen Civile dhe që ka qenë dje që në orët e para të mëngjesit dhe deri në darkë vonë në majën e malit me një grup ushtarakësh, po më thoshte që i dhamë fjalën njëri-tjetrit që nuk do të kthehemi pa fikur zjarrin në kufi me Parkun e Llogarasë. Ua dedikoj atyre personalisht, më shumë sesa forcave dhe mjeteve të tjera, suksesin e ditës së djeshme. Natyrisht nuk është koha për të festuar, sepse kemi gjithë gushtin përpara, një sezon të nxehtë dhe zjarret nuk janë fikur ende plotësisht, por rreziku më i madh është kaluar për momentin dhe është përballur pikërisht nga shpirti njerëzor më shumë sesa nga mjetet teknologjike.
Mira Kazhani: Kush po ia vë flakën vendit?
Ministri Niko Peleshi: Padyshim që temperaturat e larta favorizojnë zjarret, por fillesat e zjarreve nuk janë gjithmonë natyrore, për shkaqe të natyrës, mesa konstatojmë, edhe mesa vlerësojnë edhe ekspertët e fushës ato janë dukshëm të shkaktuara nga keqbërës, që unë do t`i quaja kriminelë, zjarrvënës që qoftë për piromani, qoftë për interesa materiale i vënë zjarrin pyjeve dhe na sjellin në një situatë kaq të rrezikshme për jetën e njerëzve dhe për pasurinë e qytetarëve tanë.
Mira Kazhani: Çfarë i ndodh psikologjikisht një ministri Mbrojtje kur sheh vendin e vet tek digjet?
Ministri Niko Peleshi: Kur lexova pyetjen, m`u kujtua pyetja që Princi Philip, tek seriali “The Crown” i bëri Armstrong-ut, pasi u kthye nga misioni i tij në Hënë. I bëri një pyetje të ngjashme: “Cili ishte përjetimi yt kur vure këmbën në hënë dhe fillove të ecësh mbi Hënë”. Priste ndonjë përgjigje patetike, të fuqishme dhe përgjigjja ishte shumë teknike: “Më fal po në atë kohë nuk kisha shumë kohë të mendohesha, sepse duhej të ndiqja një procedurë shumë strikte dhe s`kisha as kohë të ndjeja”. Nuk dua të bëj analogji, absolutisht, por e vërteta është që kur e shikon kaq pranë rrezikun, përfshihesh në ethet e betejës. Pra nuk ka më pastaj dallim ndërmjet ushtarit, komandantit, apo qoftë edhe ministrit kur është në vijën e betejës me flakën dhe me situatën. Unë nuk kam qenë në front me flakët, kam qenë pranë forcave tona padyshim, por gjithsesi tensioni ka qenë i madh kur shikonim sa pranë e kishim rrezikun e prekjes të bazës së Pashalimanit nga flakët apo të Parkut të Llogarasë. Mbase për supersticion, por nuk po ndihem mirë të flas si në të shkuarën, sepse situata akoma nuk ka kaluar. Kështu që le të shpresojmë më të mirën dhe jo vetëm të shpresojmë, por të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku. Nuk e them këtë vetëm si një slogan të bukur, por këto situata nuk përballohen dot të vetëm. Ne, Forcat e Armatosura, Forcat e Emergjencës Civile që janë nën Ministrinë e Mbrojtjes, jemi në mbështetje të pushtetit vendor. Pushteti vendor është ai që ka përgjegjësinë të përballet në territorin e vet me emergjencat civile dhe kur nuk ia del dot të kërkojë mbështetje të cilat i koordinojmë ne. Por duhet të jetë më shumë se kaq bashkëpunimi. Jo vetëm ndërmjet ministrive, institucioneve, por duhet dhe një bashkëpunim më i mirë, komunitar.
Mira Kazhani: Veç jetës së njerëzve që vjen e para, a ka një tokë, zonë që ju ka dhembur veçanërisht? Pse?
Ministri Niko Peleshi: Jo për ta minimizuar, por për hir të së vërtetës, sipërfaqet e djegura deri tani në zonën e Karaburunit kanë qenë sipërfaqe shkurresh dhe shpresoj deri në fund, e keqja e madhe është shmangur. Pra pylli me pisha, parku kombëtar është ruajtur i paprekur. Në zonën e Gjirokastrës diçka më e vështirë, le të themi më e madhe ka qenë prekja e pyllit, sepse ka qenë një bimësi më e lartë dhe mbi të gjitha një bimësi pranë zonës së banuar. Një komunitet shumë i mirë në zonën e Lunxhërisë që e ka ruajtur natyrën dhe një pjesë e sipërfaqes rreth këtyre fshatrave janë djegur, por nuk bëhet fjalë për sipërfaqe të mëdha.
Mira Kazhani: Si jemi ne si shoqëri në raste emergjencash? Unë mendoj solidarë të paparë, po ju?
Ministri Niko Peleshi: Do doja që ta kisha më pozitive përgjigjen. Nuk dua të them që nuk jemi solidarë, por shkalla e vullnetarizmit në vendin tonë ende ngelet modeste, shumë modeste krahasur me eksperiencat e viteve të tjera. Ne solidarizohemi me fjalë, nuk hezitojmë, nuk përtojmë, mbase edhe me shpirt, nuk na mungon shpirti i solidaritetit, por duhet më shumë, na duhet edhe vepra e solidaritetit. Na duhet që të shohim vullnetarë që marrin mjetet e nevojshme në dorë dhe i bashkohen forcave tona. Kemi pasur disa, nuk dua ta zeroj, në zonën e Përmetit për shembull ka pasur edhe bashkëpunim të forcave vullnetare, por përgjithësisht vullnetarizmi është modest ende në vendin tonë, në vlerësimin tim mbase të gabuar.
Faleminderit!
*Ndalohet ribotimi i këtij shkrimi pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]