Erion Braçe në lot kur flet për babain që kursen qindarkat

Erion Braçe ka patur një moment që është përlotur teksa fliste në podcast-in e gazetares Mira Kazhani për hendekun e madh që po krijohet në Shqipëri mes atyre njerëze të thjeshtë e punëtorë, bujkun që kursen çdo qindarkë që të shkollojë fëmijën.
Socialisti empatik dhe një mbështetës i zjarrtë i politikave të majta prej kohësh gati i distancuar me qeverinë dhe partinë e tij, është shfaqur i prekur për realitetin që sheh:
“I marrin bujqit si njerëz që merren me punë të rëndomta, që s`kanë ide. O kanë ide ata, o të bëjnë llogari bujqit, veçanërisht në Myzeqe, veçanërisht në Berat, në Fier, në Lushnje dhe në Divjakë, o nuk të bëjnë llogari kurrkund. Gjejeni ekonomistin (ua thashë në Komisionin e Ekonomisë), kush është më i miri nga ju? Edhe nga ata që i kishte sjellë ministrja e Financave atje, kush është më i miri nga ju le të vijë dhe të ulet në tavolinë nesër në një klub fshati atje. S`ka asnjë problem, nuk ka as Covid atje, mund të ulemi në një klub fshati dhe ta bëjmë këtë llogarinë e TVSH-së. Po askush nuk e merr përsipër të vijë dhe të ulet. Ata e bëjnë llogarinë shumë mirë. Pse? Sepse ata llogarisin çdo qindarkë. Nuk janë si ne që e shpërdorojmë ushqimin sipër tavolinës, që e shpërdorojmë paranë edhe kur e kemi me shumicë. Ata numërojnë edhe qindarkën më të fundit, sepse secili prej tyre mendon që ta çojë vajzën në shkollë. (përlotet). Secili prej tyre mendon që ta mbajë fëmijën e vet aty. Po çfarë t`i them unë një djali të ri që ka parë prindin e vet sesi vuan, çfarë t`i them? Që nuk e do jetën e prindit të vet, nuk e do punën e prindit të vet, nuk e do. E çmon, e respekton sepse ai i ka dhënë mundësinë të shkojë në shkollë, të vishet, të ushqehet, të dalë, të argëtohet, me ato mundësi që të ofron edhe provinca, po çfarë t`i them? Nuk do të vuajë siç ka vuajtur gjyshi, siç ka vuajtur babai, nëna?”, tha Braçe.