Adriatik Llalla, zyrtari më i lartë shqiptar që dënohet përfundimisht me burg

Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite burg të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla. Vendimi është i formës së prerë. SPAK bëri kërkesën që Gjykata e Apelit të lerë në fuqi dënimi me dy vite burg. Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin që përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike, si dhe konfiskim të pasurisë të kryer më herët.
Por, Adriatik Llalla prej një jave është larguar jashtë Shqipërisë, sipas avokatit të tij për t'u mjekuar në një klinikë private.
Nëse nuk paraqitet pas lënies në fuqi të vendimit, mësohet se ndaj ish kryeprokurorit mund të shpallet mandat arresti si dhe urdhër kërkimi ndërkombëtar.
Avokati i Llallës, Sokol Hazizaj deklaroi jashtë ambienteve të Gjykatës se vendimi është kopje e shkallës së parë dhe pa asnjë provë si bazë.
“S’kam komunikim për argumente shëndetësore, për një mungesë hetimi nga ILDKPI për të vajtur te procesi penal, nuk ka asnjë gabim administrativ s ai përket deklarimit të pasurisë, unë isha në Gjykatën e Apelit dhe shtrova pretendimet në cilësinë e mbrojtjes ligjore, pastaj është avokati i shtetit që merret me njoftimit”.
Adriatik Llalla bëhet zyrtari më i lartë shqiptar që dënohet përfundimisht me burg.
*Tiranapost.al.