Videopodcast

Unë, kampioni i botës që s`më pengoi asnjë intrigë!

Intervista e Transkriptuar me Briken Caljan:

Mira Kazhani: Nuk na qëllon shpesh që një vend i vogël si Shqipëria të ketë kampion bote. Kemi pasur kampion Europe, çmime të ndryshme, por sikundër edhe një kampion mund të lindë në një fshat, në Shtërmen të Cërrikut për shembull, aty ku u lind, u rrit dhe stërvitet ende Briken Calja, Kampion i Botës në Peshëngritje, bëhet akoma më interesante.

Briken, përshëndetje!

Briken Calja: Përshëndetje Mira!

Mira Kazhani: Është hera e parë që unë takoj një kampion bote dhe rasti yt më ka bërë shumë përshtypje jo vetëm për kampionin e botës, se kjo dhe mund të ndodhë njëherë, nuk është kaq e habitshme, por mua m`u pak interesante, ekzotike një kampion bote që stërvitet dhe e ka gjetur veten në sportin e peshëngritjes, në fshatin e tij të lindjes dhe jeton ende në Shtërmen.

Briken Calja: Kjo ka lindur nga xhaxhai im, sepse në Shtërmen është i vetmi sport i peshëngritjes. Nuk ka sport tjetër. Si çdo i ri që ka pasion sportin, ka pasur edhe futbollin, atletikën, por peshëngritja ishte e vetmja zgjidhje. Janë kilet që më tërheqin goxha dhe kjo më ka bërë që të jem aty ku jam, në peshëngritje.

Mira Kazhani: Më pëlqeu kjo që the, që janë kilet ato që të tërheqin më shumë.

Briken Calja: Kur je në fillimin e karrierës, sot bën 25, pse mos të bëj 26, prit të kap 27-ën. Është tërheqëse dhe është shumë pasionant sporti i peshëngritjes, dhe i veçantë.

Mira Kazhani: Për shembull, ju jeni kampion bote për cilën peshë?

Briken Calja: 156 në stilin e shkëputjes që u kurorëzova Kampion Bote dhe 186 në stilin e shtytjes, dola i dyti, Nënkampion Bote dhe në dygarësh dola po i dyti, Nënkampion. Janë medaljet e para që kanë ardhur në Shqipëri. Siç thatë edhe ju, kanë dalë dhe në 2018-ën Kampion Europe, në 2019-ën po ashtu. 2021-shi ka qenë një vit fantastik i karrierës time. E fillova me Europianin, ku mora dy medalje argjendi dhe një bronzi. Lojërat Olimpike vijën e katërt dhe barazova rekordin olimpik. Gjë që nuk është thënë. E kanë zbehur këtë pjesën. E quajnë kështu: Hajt se u bë thjesht një rezultat.

Mira Kazhani: Po kështu është kur merr shumë çmime, ia more dorën. Kush e ka lënë në hije, kush e ka zbehur, mund të ma thuash?

Briken Calja: Media.

Mira Kazhani: Pse?

Briken Calja: E kanë lënë në heshtje këtë pjesë.

Mira Kazhani: Është e zënë media me lajme të tjera.

Briken Calja: Kanë politikën.

Mira Kazhani: Na “shqetësojnë” kampionët. Po, po. Kanë politikën. Kanë protestat. Kanë sherret. Kanë sherrnajat.

Briken Calja: Kjo është gjë tjetër.

Mira Kazhani: E ndjek median? Meqë më dole këtu.

Briken Calja: Me thënë të drejtën shumë pak se është koha ajo që nuk më lë, jo se nuk kam dëshirë. Unë jam dy herë, në mëngjes dhe në darkë në palestër dhe normalisht kur jam në shtëpi dua të pushoj. Ndaj është thuajse e pamundur ndjekja.

Mira Kazhani: Megjithatë unë të mora në intervistë. Po nuk i dija këto. Më shumë në fakt, për të qenë e sinqertë, e nisur nga historia dhe fabula jote. Për të shkuar edhe njëherë tek kilet, për shembull njerëzit i dallon me sy sa kile janë? Sa peshojnë? Për shembull unë, sa mendon se peshoj?

Briken Calja: Diku tek 50, 50 e pak.

Mira Kazhani: 54. Pra unë jam me një dorë.

Roi (djali i kamerës), sa kile je?

Briken Calja: Diku tek 80 e pak.

Mira Kazhani: 72. Domethënë me mua dhe Roin je kampion bote.

Cila është ndjesia e fitores?

Briken Calja: Realisht janë të veçanta nga gara në garë, sepse jo të gjitha janë njësoj. Normalisht që ndjesia është kënaqësi, është shpërblimi i punës që ti bën. Ke marrë frutet e punës, sepse ne shpenzojmë një kohë jashtëzakonisht shumë të madhe në palestër.

Mira Kazhani: Sa kohë?

Briken Calja: Afërsisht 6 orë, 6 orë e pak, 7 orë ka raste. Se është edhe fizioterapia në mes dhe shkon gati 7 orë. Ndonjëherë 6, 5, varet nga përgatitjet edhe koha që ne kemi.

Mira Kazhani: Pra fitoren e lidh me djersën, me mundin?

Briken Calja: Pa diskutim që po.

Mira Kazhani: Kush është njeriu i parë që telefonon?

Briken Calja: Familjen. Bashkëshortja, nëna.

Mira Kazhani: Si quhet ajo?

Briken Calja: Elidiana.

Mira Kazhani: E çfarë i thua asaj? Fitova!

Briken Calja: Po. Se normalisht që janë dhe ata ndër të parët që e meritojnë realisht. Fitorja nuk është e lehtë. Ka jashtëzakonisht shumë vështirësi. Pa ta unë nuk do të isha këtu ku jam, sepse ata kanë harxhuar shumë kohë me mua dhe u jam jashtëzakonisht shumë mirënjohës. Nuk është vetëm pjesa e llustrës, fitores, por janë edhe vështirësitë.

Mira Kazhani: Për shembull, disa sakrifica që duhet t`i bëjë familja jote? Qëndrojmë tek bashkëshortja dhe ke një beb, si quhet?

Briken Calja: Noah.

Mira Kazhani: Ju keni një disiplinë të jashtëzakonshme. Për shembull ti sa pushime mund të bësh në vit? Mund të bësh një fundjavë spontane? Për shembull të teket dhe do të shkosh në Dhërmi, do të shkosh në Itali.

Briken Calja: Në kohën që jam në fazë përgatitore është thuajse e pamundur. Edhe një ditë e kam jashtëzakonisht shumë të limituar. Maksimumi mund të dal një drekë me familjen, një fundjavë, një ditë. Jo çdo ditë, sepse çdo ditë jam gjatë gjithë kohën në stërvitje. Atyre u mungoj thuajse gjatë gjithë kohës, sepse ngrihem, duhet të ushqehem dhe shkoj në palestër, vij të ushqehem dhe dua të pushoj në drekë. Dhe normalisht ata e ndjejnë mungesën. Gjithashtu edhe unë. Është mëse normale. Kjo është ajo pjesa që i kam ngujuar pak dhe i kam penguar goxha.

Mira Kazhani: Cila është dieta jote? Për shembull mëngjesi i një kampioni?

Briken Calja: Nuk është që jam shumë i fokusuar. Zakonisht fokusohem tek drithërat, tek qumështi, mjalti, veza. Nuk është se kam një dietë të veçantë. Kur vjen kampionati, po.

Mira Kazhani: Është e kushtueshme stërvitja, fizioterapia, regjimi ushqimor. Nëse ka një shifër dhe do ta thoshe?

Briken Calja: Shifrën nuk mund ta them, por është shumë kosto.

Mira Kazhani: Është e kushtueshme?

Briken Calja: Po shumë.

Mira Kazhani: Një seancë fizioterapie sa kushton për shembull?

Briken Calja: Nuk është vetëm pjesa e fizioterapisë. Janë shumë. Për shembull që një sportist të përgatitet mirë dhe të marrë një rezultat duhet të ketë suplemente të mira, të ushqehet mirë dhe të ketë një dietë jashtëzakonisht të veçantë dhe normalisht që ka kosto, sepse unë s`mund të ushqehem si gjithë familja ime dhe normalisht që kostoja rritet.

Mira Kazhani: Ti e ke nisur këtë sport që…

Briken Calja: 11 vjeç

Mira Kazhani: Shumë i vogël. Niset 11 vjeç peshëngritja?

Briken Calja: Po niset. Është koha që shikohet e ke apo jo talentin dhe ato janë hapat e para. Nuk i kam hyrë asnjëherë kësaj pjesës që po apo jo. Po zakonisht 11 apo 12 vjeç është koha kur një fëmijë duhet të fillojë sportin, jo profesionist.

Mira Kazhani: Prindërit e tu çfarë pune kanë? Për shembull në Shtërmen si ishte jeta juaj ekonomike? Ata gjithmonë ishin shumë suportues, shumë mbështetës ndaj teje? Apo menduan si shumë shqiptarë në fund të fundit, lëre se sa pasione kanë fëmijët… Mund të gjesh një punë, mund të ndjekësh një shkollë që do të japë një profesion, një rrogë.

Briken Calja: Fillimet po, janë këto. Lëre se sporti nuk të jep karrierë apo të siguron diçka. Se kështu ka qenë dhe koha dhe normalisht ata e shikonin me një sy tjetër. Thjesht për të bërë sport e kaq. Koha tregoi që dhe ata po e shikonin me sy tjetër dhe vëmendja ishte jashtëzakonisht e madhe. Ata harxhimet më të mëdha i kishin me mua. Unë kam qenë pjesë e ekipit kombëtar që 15 vjeç dhe ka qenë e vështirë se konkurrenca ka qenë shumë e madhe. Kam qenë Kampion Kombëtar që në 2004-ën dhe pas tre vitesh isha nënkampion që ishte shumë e vështirë për kohën, sepse konkurrenca tek 5-6 vendet e para ka qenë shumë e fortë. Sot ajo konkurrencë është tek 10-shja e Europës, me kohën.

Mira Kazhani: A ka intriga bota e sportit? Kjo është pyetje naive, se ka intriga kudo dhe unë nuk e diskutoj. Po a ka pasur në rrugën tuaj drejt kaq shumë çmimeve – ti tani je i suksesshëm e ke stabilizuar imazhin dhe emrin tënd në këtë sport – po në ato fillime, dikush kishte një njohje më shumë. E kuptoj që ke ecur me talent, por a ka pasur ndonjë moment që nuk ka mjaftuar talenti? Apo i dilet po punove shumë, thyhen të gjitha pengesat?

Briken Calja: Unë kam qenë nga ata që i kam thyer të gjitha pengesat. Normalisht me rezultat. Intriga ka pasur gjatë gjithë kohës.

Mira Kazhani: Ndonjë moment padrejtësie që ta rrëfeje? Pa emra, nuk ka problem.

Briken Calja: Do doja t`i shmangia këto, sepse nuk më pëlqen. Po ka pasur raste shumë. Fillimet flas gjithmonë. Thoshin nuk po marrim një 56 po marrin një 62-sh. Ka qenë rezultati ai që i ka mposhtur të gjitha dhe intrigat kanë qenë pak më larg meje.

Mira Kazhani: Është i mirë çmimi i Kampionit të Botës në para?

Briken Calja: Mirë. Realisht u bë një ndërrim. Ishte ndërrimi i VKM-së që kishim kohë që e kërkonim. Unë të paktën kam qenë një nga ata që e kërkoja me ngulm, sepse kështu është rregullorja e Federatës Botërore dhe Europiane dhe fatmirësisht, sapo u kurorëzova kampion bote është ndërruar dhe është vërtet për t`u vlerësuar për këtë ndryshim.

Mira Kazhani: Më kujtohet Ronaldo që tha: “Më paratë e para i bleva një shtëpi nënës”. Po sigurisht ai ka qenë shumë i varfër. Ke bërë diçka me dorën e parë të parave? Një investim? Një dhuratë? Një plan?

Briken Calja: Kur kam marrë çmimin e parë ka qenë viti 2008. Kam dalë i treti në botë me të rinjtë. Atëherë fillova që të ndërtoj shtëpinë time. Atje ku jetoj, në Shtërmen. Ka qenë shpenzimi i parë që kam bërë.

Mira Kazhani: Do jetosh gjithmonë atje? Apo ke në plan të zhvendosesh, ndoshta në Tiranë?

Briken Calja: Padiskutim që po. E kam në plan shumë të afërt, sepse normalisht ka qenë karriera sportive që më ka penguar që të lëviz. I jam përkushtuar totalisht dhe e kam shmangur lëvizjen nga aty, sepse aty është mundësia dhe je jashtëzakonisht i përkushtuar për të punuar, për të arritur rezultat, se nuk ke ku të shkosh. Nëse do isha në Tiranë: Hë se do shkoj të pi një kafe aty. Do takoj këtë. Ja pesë minuta këtu. Do ta kisha shpenzuar kohën, energjitë dhe rezultati do ishte thuajse i pamundur.

Mira Kazhani: Atëherë s`duhet ta bësh mesa shoh, edhe për pak kohë.

Briken Calja: Nuk është se e kam në plan për pak kohë, por së shpejti them se do të lëviz.

Mira Kazhani: Bashkëshortes do t`i pëlqente për shembull të zhvendosej.

Briken Calja: Normalisht që po.

Mira Kazhani: Është e qetë, por bëhet e mërzitshme jeta në Shtërmen apo jo?

Briken Calja: Jo nuk mërzitem, sepse atje kam kaluar rininë dhe shumë shok dhe miq, por e vetmja gjë që më mungon është liria.

Mira Kazhani: Nuk është faji i vendit ku jeton, besoj. Është për shkak të sportit. Për shembull, cilat janë gjërat që të mungojnë shumë Briken? Të pëlqen alkooli?

Briken Calja: Pak.

Mira Kazhani: Për shembull birra? Se unë vetëm birrën dalloj. Këto të tjerat Whiskey, Konjak, më duken të gjitha njësoj.

Briken Calja: Birrat pak, vera. Në rast fitore kemi të vetmen kohë abuzimi, pastaj… Unë tani sapo kam filluar edhe përgatitjet dhe e kam të pamundur të pij alkool, sepse stërvitja do përkushtim shumë.

Mira Kazhani: Pra birra e fundit është ajo kur ke marrë çmimin kampion bote?

Briken Calja: Jo, ishte dhe kjo pjesa e Vitit të Ri, pastaj zero tolerancë.

Mira Kazhani: Vetëm dietën ushqimore dhe stërvitjen? Sa orë duhet të flesh?

Briken Calja: 8 orë në darkë dhe diku tek 1 orë, 1 orë e gjysmë në drekë.

Mira Kazhani: Sa zgjat si sport? Ka një limit kohe? Për shembull futbollistët kanë një kohë të caktuar. Si funksionon me peshëngritësit?

Briken Calja: Si çdo sport ka limitin e vet.

Mira Kazhani: Kur e ka kohën limit?

Briken Calja: Është rritur goxha edhe pjesa e moshës. Jo më larg se vitin e kaluar, një sportist 37 vjeç theu rekordin botëror.

Mira Kazhani: Kështu që ti ke kohë. Ti je 31 vjeç?

Briken Calja: 31.

Mira Kazhani: Je shumë i ri. Ke shumë rrugë përpara. Nëse kur të jesh i lirë dhe të kesh mbaruar çmimet dhe karrierën tënde që deri në këto momente është fantastike, çfarë planesh ke të bësh në liri? Se mos do mërzitesh, se nuk është aq e këndshme liria. Ashtu duket.

Briken Calja: Realisht nuk e kam menduar këtë pjesë, sepse më duket sikur do më humb një pjesë e imja, ajo pjesë e sportit. Unë kam gati 21 vite dhe do më duket sikur do humb diçka.

Mira Kazhani: Një pjesë të vetes.

Briken Calja: Po.

Mira Kazhani: Ke sportistë që i ke idhuj? Që i ke ndjekur historitë e tyre, që të kanë frymëzuar? Që i ke parë si modele dhe shembuj të mirë?

Briken Calja: Padiskutim që kam. Ka shumë sportistë.

Mira Kazhani: Jo vetëm në peshëngritje, në përgjithësi.

Briken Calja: Në përgjithësi, ka shumë, por tek peshëngritja meqë jemi këtu, një ndër që ta që ka bërë histori është Naim Suleymanoglu, më i madhi tek peshëngritja. Ka pasur jashtëzakonisht shumë vështirësi dhe është bërë një ndër sportistët më të mëdhenj të globit dhe rekordmen i pathyeshëm.

Mira Kazhani: Një tjetër arsye shumë e fortë, që unë në leximet dhe kërkimin që bëra për ty, edhe kam pyetur, edhe kam lexuar – në media nuk është se gjeta shumë ke të drejtë – po media ka mëkatet e veta në shumë fusha këto kohë dhe është vërtet për t`u kritikuar, ndjeva një respekt shumë të madh për faktin që ju jeni shumë larg atyre substancave. Në testin anti-doping dolët shumë mirë. Pritët në heshtje derisa dolën rezultatet anti-doping. Nuk erdhët të bënit show. Pasi u mor përgjigja e trajtuar me shumë modesti. Edhe të stërvitesh me këtë lloj ndershmërie dhe t`i bësh gjërat me talent, me ndershmëri dhe pa atë show off-in që themi ne, mendjemadhësinë, që nuk është edhe e keqe, se ndonjëherë kur fiton ke nevojë ta tregosh, po kjo vetëpërmbajtja jote karakteriale, si kampion, më bëri të mendoj vërtet. Dhe si ia del në fakt të jesh kaq i patunduar jo vetëm nga kafet, por edhe nga ato suplementët që pastaj e prishin atë shijen e çmimeve.

Briken Calja: Brikeni nuk është kampion i një momenti. Unë nuk dua të tregoj eufori, se euforia nuk është se më pëlqen shumë. Dhe mediat akoma më tepër. Realisht kam qenë shumë i tërhequr, sepse historia dhe koha e ka treguar që media të shfrytëzon për një moment që ajo do dhe ok, ‘lëre këtë se s`na intereson më’ dhe nuk doja që të tregoja këtë. Unë doja të tregoja siguri. Brikeni nuk është kampion i një momenti, siç e thashë. Unë kam një histori. Kam një karrierë të shëndoshë dhe nuk mund ta përbuz këtë karrierën time sa të vija këtu, hajt se po bëj zhurmë. Nuk më pëlqen shumë. Doja të tregoja atë sigurinë që Brikeni është i pastër dhe atë e kanë treguar analizat. Jam jashtëzakonisht shumë i qetë. Ka qenë e vetmja gjë që nuk më ka shqetësuar, sepse e di shumë mirë çfarë kam marrë. E vetmja gjë që më shqetëson është kjo pjesa e publikut dhe e njerëzve që e kanë paragjykuar shumë jo vetëm këtë sukses, por një pjesë e njerëzve mbase mendojnë se kam dalë rastësisht Kampion Bote. Unë e kam thënë, që kam qenë medalist që në moshën 16 vjeç. Kam qenë në ekipin kombëtar që 15 vjeç që ishte një konkurrencë shumë e madhe. Kam qenë medalist në botërorin e të rinjve që 18 vjeç. Kampion Europe me tre medalje që 20 vjeç, tre medalje ari. Flas gjithmonë për ari se në fakt në çdo kampionat kam qenë pjesë e podiumit. Të paktën këto 6 vitet e fundit kam qenë tek top lista e federatës botërore, duke filluar nga Lojërat Olimpike që në 2016-ën, në 2017-ën isha tek katër më të mirët, në 2018-ën dola Kampion Europe me tre medalje ari. Në 2019-ën Kampion Europe sërish në shkëputje, nënkampion në shtytje, nënkampion dygarësh. Isha nënkapion bote po në 2019-ën. Në 2020-ën ishte viti pandemik. Në 2021-shin dy medalje argjendi. Një bronzi.

Mira Kazhani: S`po më dalin gishtat e duarve. Ti numëron medaljet dhe po lodhemi nga pesha e medaljeve.

Briken Calja: Duke filluar nga 2013-ta, 2011-ta që kam marrë shumë medalje. Kam 38 medalje që i kam në karrierën time dhe nuk isha rastësisht këtu.

Mira Kazhani: Më shumë medalje se vite jetë!

Ti e nget makinën, se besoj kjo të lejohet? (qesh)

Briken Calja: Po.

Mira Kazhani: Ti duhet të mbash në makinë vetëm këngën e ABBA-ve “The Winner Takes It All”, “Fituesi i merr të gjitha”. Fituesi i fshin të gjitha. Edhe këto pezmet e vogla, edhe ato intrigat e vogla, edhe thotë të vërtetat e mëdha dhe fitorja flet më shumë sesa nevoja për të treguar eufori. Shembulli yt është vërtet stoik edhe shumë i mirë.

Ke ndonjë plan se do ku të mbërrish më shumë sesa kaq? Me Elon Musk ndonjë shëtitje në hapësirë?

Briken Calja: Jo. E vetmja në hapësirën time që më ka ngel peng është medalja olimpike që e humba këtë vit për një kilogram. E vetmja gjë që më mungon ajo është dhe shpresoj që në 2024-ën, plani im është i vetëm dhe jam i sigurt që do të vijë së shpejti një medalje olimpike, në 2024-ën.

Mira Kazhani: Për një kilogram do ta fitosh. Për aq nuk bëhet. Të uroj suksese dhe të tjera medalje! Dhe gjithmonë të mbetesh kështu! Faleminderit! Ishte kënaqësi që të pata në Podcastin e Tiranapost!

Briken Calja: Faleminderit! Do doja që ta përmbyllja me pjesën e historikut, sepse siç e thashë, Brikeni nuk është i vetëm këtu.

Mira Kazhani: Kemi harruar trajnerin. E kuptoj ku do dalësh.

Briken Calja: Jo, nuk është vetëm trajneri. Do t`i përmend të gjithë se padyshim trajneri është pjesa kyçe e suksesit. Është familja padiskutim. E kam thënë dhe e them sërish që realisht i jam shumë mirënjohës për gjithçka që kanë bërë ndaj meje. Stafi im. Trajneri që është Geraldi dhe ndihmësi që është Vanini. Janë dy njerëz të mrekullueshëm dhe janë ata pjesë e suksesit kaq madhor, të paktën nga 2017-ta, sepse unë kam qenë në ekipin e Shtërmenit dhe kam pasur trajner tjetër, që e falënderoj edhe atë për kontributin. Pjesë e këtij rezultati është Federata për gjithçka, për suportin. Komiteti Olimpik. Ka qenë viti i parë që kemi pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe ja ku janë dhe rezultatet. Është edhe Bashkia e Tiranës, që ka qenë ajo që ka bërë gjithçka që ne të kemi një trajtim komod.

Mira Kazhani: Shtatë kishat e Shtërmenit pse i harrove?

Briken Calja: Padiskutim edhe 7 kishat.

Mira Kazhani: Shumë interesant. Fshat me 7 kisha.

Briken Calja: Është një fshat ku ne kemi harmoni. Unë nënën e kam myslimane dhe nusen gjithashtu, por është një vend që ka harmoni.

Mira Kazhani: Vetë je?

Briken Calja: Orthodoks, por ka një bashkëjetesë shumë të mirë me të dyja fetë.

Mira Kazhani: Epo ka diçka atje në ajër. Kështu që vazhdo të qëndrosh atje, se aty rrinë çmimet. Aty është kampioni.

Faleminderit Briken!

Briken Calja: Faleminderit juve!

Lexo "25 rreshtat e Mirës" për intervistën me Briken Caljan.


Autori Mira Kazhani

Ky podcast u mbështet nga Abi Bank

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore