Lajme nga Bota

Nga sot, pa pasaportë vaksinimi nuk mund të pish asnjë kafe në Francë

Nga sot, pa pasaportë vaksinimi nuk mund të pish asnjë kafe

Nga e hëna e sotme, pa pasaportë vaksinimi nuk mund të pish asnjë kafe në Francë. Masa është pjesë e një plani qeveritar për të inkurajuar më shumë njerëz që të vaksinohen kundër COVID-19 dhe të ngadalësojnë një rritje të infeksioneve, pasi varianti delta, shumë ngjitës, tani përbën shumicën e rasteve në Francë. Mbi 36 milion njerëz në Francë, ose më shumë se 54% e popullsisë, janë plotësisht të vaksinuar, deri tani.

Që të të ofrohet shërbin për një kafe, drekë apo darkë në lokal duhet të kesh patjetër: një tampon negativ, një test të kohëve të fundit që vërteton se je shëruar nga Covid, ose pasaportën e vaksinimit.

Ky rregull vlen si për vendasit, ashtu edhe për turistët.

Pasaporta e vaksinimit apo një nga këto dokumente kërkohet edhe nëse do të hysh në një spital si pacient apo familjar pacienti, veç rasteve emergjente.

Kërkohet gjithashtu në trena, avion dhe autobus që kryejnë udhëtime ta gjata.

Letrat ose dokumentet dixhitale pranohen.

Sondazhet tregojnë se shumica e francezëve mbështesin rregullin e ri. Por masa ka nxitur kundërshtim të fortë nga disa njerëz që thonë se rrezikon liritë e tyre duke kufizuar lëvizjet dhe aktivitetet e përditshme jashtë shtëpisë.

Të Shtunën, mijëra demonstrues marshuan në Paris dhe qytete të tjera franceze për të katërtën javë radhazi protestash kundër masës.

Ligji i ri gjithashtu kërkon që punonjësit francezë të kujdesit shëndetësor të vaksinohen kundër virusit deri më 15 shtator.