Lajme nga Bota

Gjermania heq testet COVID falas, për të nxitur vaksinimin

Gjermania heq testet COVID falas, për të nxitur vaksinimin

Qeveria gjermane ka njoftuar ditën e sotme se gjatë muajit në vazhdim do të heqë testet COVID të cilat ofroheshin falas për qytetarët, me qëllim që të nxitet niveli i vaksinimit.

Ky vendim vjen pasi mundësia për të bërë testin e shpejtë të koronavirusit pa kosto, bëri që shumë njerëz të mos marrin mundimin që të marrin dozat e vaksinave anti-COVID. Me shtimin e rasteve të infektimit për shkak të variantit “delta”, si dhe pritjen e një vale tjetër në vjeshtë, është esenciale që ritmi i vaksinimit të shtohet në Gjermani, një vend ku ka pasur shumë protesta dhe zëra publikë kundër marrjes së vaksinave.

Që prej javës së kaluar, Gjermania ka bërë të detyrueshëm paraqitjen e certifikatës së vaksinimit, ose testit negativ të bërë jo më herët se 72 orë më parë, për të marrë pjesë në aktivitete publike.

Rregulli për heqjen e vaksinave falas nuk do të aplikohet mbi gratë shtatzëna, fëmijëve dhe atyre që për shkaqe mjekësore janë certifikuar nga mjeku për të mos marrë vaksinën. Së shpejti, pritet që detyrimi për test ose vaksinë të shtohet edhe për transportin publik dhe shkollat.

Vendimi i qeverisë është kritikuar nga partia libertariane pro-sipërmarrjes, FDP dhe partia e ekstremit të djathtë AfD që në Bundestag i kanë konsideruar këto masa “detyrim de facto i marrjes së vaksinës” dhe një akt që rreikon “ndarjen e shoqërisë në dy klasa”.

Deri tani 55% e popullsisë madhore në Gjermani kanë marrë të dy dozat e vaksinës anti-COVID, ndërkohë 62.5% kanë marrë më së paku një prej tyre. Qëllimi i qeverisë Merkel për të vaksinuar 85% të popullsisë deri në fund të verës, një objektiv i vendosur në pranverë duket i vështirë për t’u realizuar tani.

Tiranapost.al