Çfarë duhet të dimë për shëndetin mendor të Putin?
Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe asaj evropiane thonë se presidenti rus Vladimir Putin duket i izoluar kohët e fundit.
Sipas tyre ai mbështetet ende nga një grup i vogël këshilltarësh që nuk i kishin thënë të vërtetën për faktin se sa e vështirë, por edhe e kushtueshme do të ishte pushtimi i Ukrainës.
Analistët e shohin Putinin si një lider në tehun e thikës, si një njeri që ushqehet nga paranoja pasi nënvlerëson vendosmërinë e unifikuar të Perëndimit dhe që rrezikohet të sulmohet nëse ndihet i zënë në grackë.
Fushata ushtarake e Putinit, e cila ka vrarë civilë, si dhe urdhri i tij për të vendosur forcat bërthamore ruse në një nivel më të lartë gatishmërie, ka nxitur kërkesa të reja nga politikëbërësit amerikanë në ditët e fundit drejtuar agjencive të inteligjencës për njohuri mbi mënyrën e të menduarit të tij.
Të kuptuarit e asaj që ka në kokën e një lideri është një nga detyrat më të vështira me të cilat përballen analistët e inteligjencës. Por në rastin e Putinit, është thelbësore që vendimmarrësit të kuptojnë se si ai mund të veprojë në mënyrë që ata të mund të kalibrojnë përgjigjet e tyre dhe të përpiqen të gjejnë një mënyrë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Agjencitë e inteligjencës kryejnë në mënyrë rutinore analiza të liderëve botërorë dhe është e zakonshme që ato profile të përditësohen dhe rishqyrtohen gjatë një krize. Tani analistët po shqyrtojnë çdo thënie dhe lëvizje të Putinit për indikacione në lidhje me gjendjen e tij mendore, temperamentin dhe planet apo synimet e tij.
“Ne i pyesim shumë kolegët tanë të inteligjencës këto ditë për mendimet e Putinit. E kuptojmë se ai ka qenë i izoluar gjatë Covid dhe është i rrethuar nga njerëz që i thonë vetëm Po. Të gjithë po kërkojnë të çara kur bëhet fjalë për kontrollin e tij në pushtet, por ne nuk po shohim ndonjë çarje domethënëse”, tha një zyrtar i administratës amerikane.
Pushtimi i Rusisë filloi me raketa precize, por armët po ndryshojnë.
Përpara pushtimit, analistët e inteligjencës amerikane dhe britanike kishin paralajmëruar se Putini po keqinformohej nga këshilltarët e tij, të cilët i dhanë atij një pamje tepër rozë se sa lehtë mund të shkonte pushtimi. Këto shqetësime janë shtuar tani pasi ushtria ruse përgatitet për atë që mund të jetë një betejë e gjatë dhe e përgjakshme për kryeqytetin ukrainas, Kiev. Kjo shpjegon edhe qëndrimin e Putinit larg këshilltarëve të tij, ditët e fundit.
“Ne të gjithë kemi parë imazhet e Putinit dhe distancën fizike midis tij dhe atyre përreth tij, duke vërejtur fotot e tij i ulur disa metra larg këshilltarëve, në një tryezë të gjatë. Në një mënyrë, kjo mund të jetë një metaforë e asaj që po ndodh”, tha analisti.
Pasiguria e Perëndimit për aksesin e Putinit në informacione të besueshme është veçanërisht shqetësuese.
“Ne duhet të menaxhojmë rrezikun e përshkallëzimit. Putinit nuk po i ecën mirë. Ai i bërtet stafit të tij. Planet nuk janë përmbushur. Kjo është një kohë e rrezikshme për Putinin”, tha një zyrtar evropian.
“Nëse rusët dëgjojnë se liderët perëndimorë po mendojnë për një zonë ndalim-fluturimi, mendja e tij kthehet në Libi në vitin 2011, ku NATO ndërhyn dhe muaj më vonë Gaddafi nxirret nga ku ishte fshehur dhe vritet”, tha zyrtari.
Në vitin 2011, NATO ndërhyri në konfliktin civil në Libi, duke zbatuar një zonë ndalim-fluturimi për të mbyllur hapësirën ajrore të Libisë për të gjitha fluturimet, përveç dërgesave humanitare. Luftimet rezultuan në rrëzimin e Gaddafit, liderit të vendit, i cili u vra nga rebelët pasi u largua nga pallati i tij.