Pas telefonatës 90-minutëshe me Putin, Macron i bindur se më e keqja nuk ka ardhur akoma
Presidenti rus Vladimir Putin i telefonoi presidentit francez Emmanuel Macron të enjten e djeshme, në atë që dukej se ishte një shkëmbim dukshëm më i tensionuar se bisedat e mëparshme midis dy liderëve.
Telefonata 90-minutëshe nuk solli ndonjë përparim diplomatik. Madje, sipas një zyrtari të lartë francez, kjo telefonatë i la shije të hidhur presidentit francez Macron.
“Ai (pra Macron) është i bindur se më e keqja nuk ka ardhur ende dhe se Putin synon të marrë kontrollin e të gjithë Ukrainës”, thotë zyrtari francez.
Mediat zbardhën pak nga biseda Putin-Macron ku ky i fundit mësohet t`i ketë thënë:
“Vendi juaj do ta paguajë shtrenjtë, sepse do të përfundojë si një vend i izoluar, i dobësuar dhe nën sanksione për një kohë shumë të gjatë”, dhe i njëjti zyrtar tregon për mediat e huaja se Macron i tha Putinit, të mos gënjejë veten.