Si do të përfundojë lufta? Pesë skenarët e mundshëm
Mes mjegullës së luftës, mund të jetë e vështirë të shihet rruga që na pret përpara. Pjesa më e madhe e parashikimeve për momentin janë të zymta.
Cilët janë disa nga skenarët e mundshëm që po shqyrtojnë politikanët dhe strategët ushtarakë? Pak mund të parashikojnë saktë të ardhmen, por më poshtë janë 5 rezultate të mundshme rreth fundit të luftës.
1- Luftë e shkurtër
Sipas këtij skenari, Rusia përshkallëzon operacionet e saj ushtarake. Ka më shumë sulme pa dallim artilerie dhe raketash anembanë Ukrainës. Forca ajrore ruse - e cila nuk ka luajtur shumë rol deri tani në pushtim - fillon sulme ajrore shkatërruese. Sulmet masive kibernetike përfshijnë Ukrainën, duke synuar infrastrukturën kryesore kombëtare. Furnizimi me energji dhe rrjetet e komunikimit ndërpriten. Mijëra civilë humbin jetës. Pavarësisht rezistencës së guximshme, Kievi bie brenda pak ditësh.
Qeveria zëvendësohet me një regjim kukull pro Moskës. Presidenti Zelensky ose vritet ose arratiset, në Ukrainën perëndimore apo edhe jashtë shtetit, për të ngritur një qeveri në mërgim. Presidenti Putin shpall fitoren dhe tërheq disa forca, duke lënë pas mjaftueshëm për të mbajtur njëfarë kontrolli. Mijëra refugjatë vazhdojnë të ikin në Perëndim të Europës.
Ky rezultat nuk është aspak i pamundur, por do të varet nga ndryshimi i disa faktorëve: shtimi i forcave ruse që performojnë më mirë dhe shpirti i jashtëzakonshëm luftarak i Ukrainës zbehet. Putin mund të arrijë të ndryshojë regjimin në Kiev dhe t’i japë fund integrimit perëndimor të Ukrainës. Por çdo qeveri pro-ruse do të ishte e paligjshme dhe e ndjeshme ndaj kryengritjes. Një rezultat i tillë do të mbetej i paqëndrueshëm dhe perspektiva për të shpërthyer sërish konflikt do të ishte e lartë.
2- Luftë e gjatë
Ndoshta ka më shumë gjasa që kjo të zhvillohet në një luftë të zgjatur. Ndoshta forcat ruse ngecin ose pengohen nga morali i ulët, logjistika e dobët dhe lidershipi i paaftë. Ndoshta do t’u duhet më shumë kohë forcave ruse për të siguruar qytete si Kievi, mbrojtësit e të cilëve luftojnë kudo.
Pason një rrethim i gjatë. Edhe pasi forcat ruse kanë arritur njëfarë prezence në qytetet e Ukrainës, ata luftojnë për të mbajtur kontrollin. Ndoshta Rusia nuk mund të sigurojë trupa të mjaftueshme për të mbuluar një vend kaq të madh. Forcat mbrojtëse të Ukrainës shndërrohen në një kryengritje efektive, të motivuar mirë dhe të mbështetur nga popullsia lokale. Perëndimi vazhdon të sigurojë armë dhe municione, dhe më pas, ndoshta pas shumë vitesh, me një udhëheqje të re në Moskë, forcat ruse përfundimisht largohen nga Ukraina, të përkulura dhe të gjakosura, ashtu si paraardhësit e tyre u larguan nga Afganistani në vitin 1989 pas një dekade luftë kundër kryengritësve islamikë.
3- Luftë evropiane
A është e mundur që kjo luftë të përhapet jashtë kufijve të Ukrainës? Presidenti Putin mund të kërkojë të rimarrë më shumë pjesë të ish-perandorisë ruse duke dërguar trupa në ish-republikat sovjetike si Moldavia dhe Gjeorgjia, që nuk janë pjesë e NATO-s. Ose mund të ketë thjesht llogaritje të gabuara gjatë rrugës që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës. Putin mund të deklarojë se furnizimet me armë perëndimore për forcat ukrainase janë një akt agresioni të cilit duhet t’i përgjigjet. Ai mund të kërcënojë se do të dërgojë trupa në shtetet baltike - që janë anëtarë të NATO-s - si Lituania, për të krijuar një korridor tokësor me enklavën bregdetare ruse të Kaliningradit.
Kjo do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme dhe do të rrezikonte një luftë me NATO-n. Sipas nenit 5 të statutit të aleancës ushtarake, një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.
Por Putin mund të rrezikojë nëse mendon se kjo ishte mënyra e vetme për të shpëtuar lidershipin e tij. Nëse ai, ndoshta, do të përballej me disfatën në Ukrainë, mund të tundohej të përshkallëzohej më tej. Tani dihet se lideri rus është i gatshëm të thyejë normat ndërkombëtare të vjetra.
E njëjta logjikë mund të zbatohet për përdorimin e armëve bërthamore. Këtë javë, Putin vendosi forcat bërthamore në një nivel më të lartë gatishmërie. Shumica e analistëve dyshojnë se kjo do të thotë se përdorimi i tyre është i mundshëm ose mund të ndodhë në një kohë të afërt. Por sidoqoftë ishte një kujtesë se doktrina ruse lejon përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore taktike në fushën e betejës.
4- Zgjidhje diplomatike
A mund të ekzistojë, pavarësisht gjithçkaje, një zgjidhje e mundshme diplomatike?
“Armët po flasin tani, por rruga e dialogut duhet të mbetet gjithmonë e hapur”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
Dialogu vazhdon. Presidenti Macron i Francës ka folur në telefon me presidentin Putin. Dhe, çuditërisht, zyrtarët rusë dhe ukrainas janë takuar për bisedime në kufirin me Bjellorusinë. Ata mund të mos kenë bërë shumë përparime në negociata deri më tani, por duke rënë dakord për bisedimet Putin duket se të paktën ka pranuar mundësinë e një armëpushimi të negociuar.
Imagjinoni këtë skenar: lufta shkon keq për Rusinë. Sanksionet fillojnë të rëndojnë mbi Moskën. Kundërshtimet e protestat rriten dhe Putin pyet veten nëse ka shtrirë këmbët më tepër seç ka jorganin. Ai gjykon se vazhdimi i luftës mund të jetë një kërcënim më i madh për udhëheqjen e tij sesa poshtërimi për t'i dhënë fund. Kina ndërhyn, duke ushtruar presion ndaj Moskës për kompromis, duke paralajmëruar se nuk do të blejë naftë dhe gaz rus nëse nuk de-përshkallëzohet. Kështu Putin fillon të kërkojë një rrugëdalje.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase shohin shkatërrimin e vazhdueshëm të vendit të tyre dhe arrijnë në përfundimin se kompromisi politik mund të jetë më i mirë se humbje të tilla shkatërruese. Pra, diplomatët angazhohen dhe arrihet një marrëveshje. Ukraina, mund të pranojë sovranitetin rus mbi Krimenë dhe në disa pjesë të Donbasit. Nga ana tjetër, Putin pranon pavarësinë e Ukrainës dhe të drejtën e saj për të thelluar lidhjet me Evropën.
5- Putin rrëzohet nga pushteti
Kur nisi pushtimin Vladimir Putin deklaroi: "Ne jemi të gatshëm për çdo rezultat".
Por, çka nëse ky rezultat do të ishte humbja e pushtetit? Mund të duket e paimagjinueshme. Megjithatë bota ka ndryshuar ditët e fundit dhe gjëra të tilla tani mendohen.
Profesor La2rence Freedman, profesor i njohur i studimeve të luftës në Kings College, Londër, shkroi këtë javë: "Tani ka po aq të ngjarë që të ketë ndryshim regjimi në Moskë sa në Kiev."
Pse mund ta thotë këtë? Ndoshta sepse Putin po ndjek një luftë katastrofike. Mijëra ushtarë rusë vdesin. Rëndojnë shumë sanksionet ekonomike dhe Putin humbet mbështetjen popullore. Ndoshta mund të lindë edhe kërcënimi i revolucionit popullor. Ai përdor forcat e brendshme të sigurisë ruse për të shtypur opozitën. Por shumë anëtarë të elitës ushtarake, politike dhe ekonomike të Rusisë kthehen kundër tij.
Perëndimi e bën të qartë se nëse Putini shkon dhe zëvendësohet nga një lider më i moderuar, atëherë do të hiqen disa sanksione ndaj Rusisë dhe do të rivendosen marrëdhëniet normale diplomatike. Ndodh një grusht shteti i përgjakshëm në pallat dhe Putini eleminohet.
Kjo mund të mos duket e mundshme për momentin, por mund të mos jetë e pabesueshme nëse njerëzit që kanë përfituar nga Putin nuk besojnë më se ai mund të mbrojë interesat e tyre.
Artikull i publikuar fillimisht në BBC