Forcat ruse pushtojnë termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, atë që bombarduan gjatë natës
Forcat ruse kanë pushtuar termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, në Ukrainën jugore pasi një zjarr shpërtheu në objekt mëngjesin e kësaj të premteje.
Lajmi është bërë i ditur nga Inspektoratit Rregullator Shtetëror Bërthamor i Ukrainës.
“Aktualisht, vendi i NPP Zaporizhzhia është i pushtuar nga forcat ushtarake të Federatës Ruse. Ndërtesa administrative dhe pika e kontrollit në stacion janë nën kontrollin e pushtuesve”, tha Energoatom, operatori i energjisë bërthamore të Ukrainës, në një deklaratë përmes Telegram, sot.
“Stafi i uzinës vazhdon të punojë në njësitë e energjisë, duke siguruar funksionimin e qëndrueshëm të objekteve bërthamore,” shtoi Energoatom.
“Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e mbrojtësve ukrainas të stacionit. Gjashtë reaktorët e termocentralit mbeten të paprekur. Sistemet dhe komponentët e rëndësishëm për sigurinë e NPP-së janë funksionale. Për momentin, nuk është regjistruar asnjë ndryshim në situatën e rrezatimit”, thuhet në deklaratë.