Aktualitet

Kallëzohen policët që shoqëruan Dritan Dajtin tek okulisti në ish-Bllok: Njoftimi me sms, drejtori s'dinte gjë

Kallëzohen policët që shoqëruan Dritan Dajtin tek okulisti

Dy policët që shoqëruan Dritan Dajtin në zonën e ish Bllokut në Tiranë, me pretendimin për një vizitë tek një okulist të një klinike private, janë kallëzuar sot nga Shërbimi i Kontrolllit të Brendshëm të Burgjeve.

Në komunikimin për mediat, SHKBB tregon se efektivët nuk zbatuan rregullat e shoqërimit, duke mos vlerësuar situatën e rrezikut që paraqitej në rast arratisje të të dënuarit Dritan Dajti. Njoftimi i lëvizjes sipas SHKBB është kryer përmes mesazheve në sallën operative dhe se drejtori i Burgjeve nuk ishte vënë në dijeni.

Për rastin në fjalë, SHKBB tregon se duhej të ishte bërë analiza e riskut për situatën si dhe të verifikohej situata e të dënuarit e më pas të dërgohej në spital shtetëror pranë burgjeve. Edhe burgjet në fakt kanë okulist, por zgjodhi për të kryer shërbimet jashtë ambienteve.

Katër drejtues dhe punonjës në Burgun e Peqinit u liruan nga detyra për ngjarjen në fjalë.

Ministrja Etilda Gjonaj vendosi shkarkimin e drejtuesve të burgut të Peqinit:

1.Lirimin nga detyra të Drejtorit të IEVP-së Peqin, z. Emin Shpata për shkelje të rëndë.

2.Lirimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, z. Bardhyl Kaçorri për shkelje të rëndë.

3.Largim nga puna të mjekut të IEVP Peqin, z. Andi Andoni.

4.Lirim nga detyra të shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, z. Ferit Mici.

5.Vërejtje me paralajmërim për mjeken e DPB znj. Ermira Qirinxhi.

6.Vërejtje me paralajmërim për inspektorin e IEVP Peqin, z. Mefat Shehu.

Dritan Dajti, i cili akuzohet për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në vitin 2009 në Durrës, ishte dënuar me burg përjetë, por gjykata e Apelit e prishi këtë vendim dhe pranoi gjykimin e shkurtuar duke e dënuar përfundimisht me 25 vjet burg ku vuan dënimin në burgun e Peqinit. / Tiranapost.al. 

http://www.tiranapost.al/video-ish-blloku-blindohet-nga-policia-dritan-dajti-shoqerohet-tek-dentisti/

http://www.tiranapost.al/kontroll-ne-shtepite-e-tri-gjyqtareve-qe-shpetuan-dritan-dajti-nga-burgu-perjete/

http://www.tiranapost.al/nje-ngjarje-si-ne-filmat-western-skema-si-vrau-dritan-dajti-kater-policet/