Robert Ndrenika, historia e një artisti që humbja e gruas, ishte e vetmja gjë që e mbajti larg skenës

10 janar 1942, sot 80 vite më parë lindi njeriu që nuk ka shumë nevojë për prezantim. Robert Ndrenika! Mjafton thjesht emri. Njeriu i mbi 30 roleve në filma, Agushi tek (Zonja nga Fshati) Sokrati tek (Vëllezër dhe shokë), Stefi tek (Në shtëpinë tonë) Vangjeli tek (Përrallë nga e kaluara) dhe kushedi sa roleve në teatër, ka pasur pikën e tij të dobët.
Ajo ka qenë e vetmja gjë që e mbajti larg skenës: bashkëshortja e tij, Polikseni. Gruaja që dhuroi dy vajza.
Nuk është e panjohur kjo histori, por është kaq frymëzuese sesi pas humbjes së saj nga një sëmundje, pas humbjes së njeriut që e shoqëronte në çdo provë teatri, Robert Ndrenika u shkëput për 4 vite.
Ishte e përkohshme sigurisht dhe fatmirësisht! Derisa rigjeti forcën të ngrihej mbi dhimbjen për të luajtur në teatër Doktor Shushter në vitin 2012.
Që nga ajo ditë, Berti siç miqtë e tij e thërrasin nuk është shkëputur nga rolet në filma dhe teatër.
Ditëlindja e tij sot është një ditë e shënuar:
Për të gjithë ata që e adhurojnë ende Çomen tek “Shi në Plazh” dhe shprehjen: “Se kur më hipin nervat mua…” apo “Lëre rininë, ajo do diell…”.
Për të gjithë ata që u rritën me telenovelën e parë shqiptare “Njerëz dhe fate” dhe qeshnin e qanin me dhe për Durimin, babain e Florit. Një rol që e lidhi shumë Robertin me Arben Dërhemin, aktorin që luante Florin. Sot janë të pandarë, si të ishin atë e bir.

Sot është një ditë e shënuar edhe për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn që e kujtoi që herët në mëngjes ditëlindjen e artistit.
“Gëzuar 80-të vjetorin i miri Robert Ndrenika - aktorit të dashur për të gjithë”, shkruante ai.
Dhe ka të drejtë! A nuk është Robert Ndrenika aktori i të gjithëve?!