25 Rreshtat e Mirës

Rrëfimi i ngrohtë dhe mendjehapur i Anjolës

Rrëfimi i ngrohtë dhe mendjehapur i Anjolës

Nga Mira Kazhani/ Anjola Hamzaj është një fytyrë e mirë dhe e qetë e studios së lajmeve - edhe pse nuk është pjesë e këtij podcast-i meqë është e mirë apo e qetë- por më shumë sesa kaq! Një grua mendjehapur dhe e fortë! Pse? Ajo e ka rrëfyer në intervistë, por pak rreshta shkurt nga unë si më poshtë:

Ajo ka lindur dhe është rritur në Dibër dhe pas universitetit në Tiranë u është bashkuar për disa kohë prindërve në Itali, për t’u kthyer e zhgënjyer nga ajo eksperiencë emigrimi, me dëshirën e madhe për ta ndërtuar jetën në Tiranë. Të befason çiltërsia me të cilën përshkruan kohët e Italisë, kur s’e merrnin në punë apo kur kuptoi se jetën s`ta bën të bukur thjesht një asfalt i shtruar mirë. Ajo është njeri që flet veten e saj. Këtë e kuptova mirë nga intervista.

Prej gati 10 vitesh bashkëjeton me Enzon, italian, me të cilin janë prindër të dy binjakëve. Historia e binjakëve është bërë publike për shkak se erdhën në jetë shumë prematurë. Vetëm 6-muajsh. Anjola nga ana tjetër është një natyrë vërtet sikur ka lindur në Norvegji. Nuk do donte të ishte për njerëzit ajo “mamaja e portaleve”, që flet tërë kohës të njëjtën histori. E drejtë! Gjërat duan masë.

Ndaj që në fillim të këtyre rreshtave duhet ta dini se kjo bisedë me të mbart tjetër mesazh e rrëfim në lidhje me dy fëmijët e saj.

Teksa rriste dy bebe, një ditë kuptoi që Luisi po vonohej ca si shumë me shqiptimin e fjalëve, krahasuar me Emmën, e cila e kish eklipsuar me shkathtësinë. Ndoshta tha ajo, vajzat janë të tilla dhe djemtë janë më dembelë dhe mund të jetë kështu. Por Anjola vendosi të mos fshihet pas gishtit, të mos e refuzonte realitetin, e mori të birin - që vetëm qesh nëpër video - dhe është një fëmijë i gëzuar, dhe e çoi në Bari, atje ku ka një pediatër që i beson verbërisht. Prej një viti Luisi i vogël është çdo ditë në terapi dhe çdo gjë po shkon mirë. Sepse mami me sytë çeleste, ajo e qeta e lajmeve, nuk zgjodhi ta fshehë problemin, por kërkesës së të voglit iu përgjigj në kohë! Jam e bindur që kjo intervistë do t’ju ngrohë zemrën shumë nënave që mund të jenë duke jetuar një situatë të tillë me një fëmijë non-verbal.

Faleminderit Anjola që fole dhe se si fole!!!

Ndiqe të plotë në Youtube kanali i Mira Kazhanit

Këtu gjen linkun e intervistës së transkriptuar

Autori Mira Kazhani

Ky podcast u mbështet nga Abi Bank

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore