Politikë

Ditmir Bushati sheh në fitoren e VV mesazhin se kur një shoqëri bëhet bashkë e mund modelin e vjetër

Ditmir Bushati sheh në fitoren e VV mesazhin se kur një shoqëri

Ditmir Bushati në një shënim për fitoren e VV në Kosovë bën një analizë ku bie në sy një krahasim apo mesazh edhe me Shqipërinë këtej kufirit. Ish ministri kritik i Ramës thotë se kjo nuk është fitore thjesht e një lëvizjeje, por përqafim i së ardhmes, një zgjim i shoqërisë kundër korrupsionit, dhe sidomos një dominim i idealit dhe dëshirës për shtet! Fitore jo vetëm e një force politike, jo vetëm e qyetetarëve të ndershëm, plus atyre të diasporës, por ai përmend sipërmarrësit që besojnë tek gara, të konkurrenca dhe ndershmëria.

Fitore e medias me ideale dhe jo asaj rentiere dhe shpirtprishur. Fitore e shoqërisë civile etj etj.

Të gjithë këto emra dhe çështje që Z.Bushati ka kohë që i trajton publikisht në Tiranë si një problem me të cilin duhet të ballafaqohet dhe të fitojë e majta këtu.

Albini dhe Vjosa janë për të dy figura që sot përfaqësojnë këto vlera në zhdukje, por që me votën plebishitare në Kosovë ka shpresë për reflektim gjithmonë, kur shoqëria bëhet bashkë e mund modelin e vjetër.

Ditmir Bushati:

NJË FITORE E TË ARDHMES
Po, Kosova përqafoi të ardhmen!
Më shumë sesa një fitore e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, 14 Shkurti 2021, do të shënohet në historinë e Kosovës si dita kur sovrani me votë plebishitare shembi modelin e vjetër dhe përqafoi shpresën.
Është fitorja e çdo qytetari që jeton në Kosovë dhe diasporë, që kontribuon përmes punës së ndershme për Kosovën shtet funksional, demokratik, si një dhe të pandarë.
Është fitorja e çdo sipërmarrësi të ndershëm që beson tek puna, shpirti i garës, shteti zhvillimor, barazia në mundësi, përkundrejt kapitalizmit grabitqar që thellon pabarazinë, mpin shoqërinë e nxit braktisjen e vendit.
Është fitorja e shoqërisë civile, medias së lirë dhe profesionistëve me integritet moral që besojnë tek vlerat e lirisë, humanizmit, qytetarisë, drejtësisë sociale, përballë gazetarisë rentiere e shpirtprishur në shërbim të pushtetit.
Është fitorja e një modeli të ri politik që s’ka të bëjë me moshën, gjininë e prejardhjen, por që ndjen përgjegjësinë para njerëzve, duke demonstruar konsistencë në ide, përgjegjshmëri shtetërore e pathyeshmëri, duke mos u bërë palë me veset e politikës që gërryejnë idealin e jetës demokratike.
Është fitorja e standardit dhe kulturës demokratike. Kosova, 13 vjet shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi plot 109 vjet shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen gjykimit të popullit.
Fitoret e mëdha shoqërohen gjithnjë me pritshmëri dhe përgjegjësi të mëdha. Tanimë, Lëvizja Vetëvendosje, Albini dhe Vjosa janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik, mirëqënies sociale dhe partneritetit me botën demokratike. Sfida, që kërkojnë një konsensus të ripërtërirë politik e shoqëror. Ata kanë përgjegjësinë për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për gjeneratën e Kosovës Europiane.
Urime Kosovë

Ditmir Bushati sheh në fitoren e VV mesazhin se kur një shoqëri

*Tiranapost.al.