Opinion

Harari pak para pushtimit rus: Nëse besoni ligjin e xhunglës, ju mbetet vetëm të zgjidhni rolin tuaj; të gjahut apo të grabitqarit

Harari pak para pushtimit rus: Nëse besoni ligjin e xhunglës, ju

Yuval Noah Harari/ Në thelb të krizës së Ukrainës qëndron një pyetje themelore në lidhje me natyrën e historisë dhe natyrën e njerëzimit: A është i mundur ndryshimi? A mund të ndryshojnë njerëzit mënyrën sesi sillen, apo a mundet historia të përsërisë pafundësisht vetveten, me njerëzit e dënuar përgjithmonë të rijetojnë tragjeditë e kaluara, pa ndryshuar asgjë përveç dekorit?

Një nga shkollat e mendimit e mohon tërësisht mundësinë e ndryshimit. Ajo shkollë e mendimit argumenton se bota është një xhungël, se i forti mund të dobëtin dhe se e vetmja gjë që e pengon një vend të pushtojë një tjetër është forca ushtarake. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë, gjithmonë. Ata që nuk besojnë në ligjin e xhunglës, jo vetëm që po mashtrojnë veten, por po e vënë në rrezik ekzistencën e tyre dhe nuk do të mbijetojnë gjatë.

Një tjetër shkollë mendimi mbron idenë se i ashtuquajturi ligji i xhunglës nuk është aspak një ligj i natyrës. Atë e bënë njerëzit dhe po ata mund ta ndryshojnë.

Ndryshe nga sa thuhet, dëshmia e parë e qartë për luftën e organizuar shfaqet në të dhënat arkeologjike rreth 13 mijë vjet më parë.

Ndryshe nga forca e gravitetit, lufta nuk është një forcë e natyrës. Intensiteti dhe ekzistenca e saj varen nga faktorët të tillë si: teknologjikë, ekonomikë dhe kulturorë. Për sa kohë këta faktorë ndryshojnë, ndryshon edhe lufta.

Dëshmia e një ndryshimi të tillë është kudo rreth nesh. Gjatë brezave të fundit, armët bërthamore e kanë kthyer luftën midis superfuqive në një akt të çmendur vetëvrasjeje kolektive, duke i detyruar vendet më të fuqishme në botë të gjejnë mënyra më pak të dhunshme për të zgjidhur konfliktin. Ndërsa luftërat e fuqive të mëdha, si Lufta e Dytë Punike ose Lufta e Dytë Botërore, kanë qenë një tipari spikatur për pjesën më të madhe të historisë. Në shtatë dekadat e fundit nuk ka pasur luftë të drejtpërdrejtë midis superfuqive.

Gjatë së njëjtës periudhë, ekonomia globale është transformuar nga e bazuar në materiale në atë të bazuar në dije. Aty ku dikur burimet kryesore të pasurisë ishin pasuritë materiale si minierat e arit, fushat e grurit dhe puset e naftës, sot burimi kryesor i pasurisë është dija. Dhe ndërsa kushdo mund të marrë me forcë fushat e naftës, nuk mund t`i marrë njësoj me forcë dijet. Ndaj përfitimi prej pushtimit me forcë ka pësuar rënie.

Në brezat e sotëm, për herë të parë në histori, bota dominohet prej elitave që luftën e shohin si të keqe, të shmangshme. George Ë. Bush, Donald Trump, për të mos përmendur Merkelët dhe Ardernët e botës, janë politikanë shumë të ndryshëm nga Attila Huni apo Alariku i Visigotëve. Ata zakonisht vijnë në pushtet shoqëruar nga ëndrrat për të bërë reforma të brendshme dhe jo për të bërë pushtime të huaja.

Si rezultat i të gjitha këtyre ndryshimeve, shumica e qeverive ndaluan t`i shohin luftërat si një mjet të pranueshëm për të çuar përpara interesat e tyre dhe shumica e kombeve pushuan së fantazuari për pushtimin dhe aneksimin e fqinjëve të tyre. Ama nuk është e vërtetë që është vetëm forca ushtarake ajo që e pengon Brazilin të pushtojë Uruguajin apo pengon Spanjën të pushtojë Marokun.

Parametrat e paqes

Rënia e luftimeve është e dukshme në statistika. Që prej vitit 1945 është diçka relativisht e rrallë që kufijtë ndërkombëtarë të rivizatohen nga pushtimi i huaj dhe asnjë vend i vetëm, i njohur ndërkombëtarisht, nuk është fshirë plotësisht nga harta prej pushtimit të jashtëm. Nuk kanë munguar llojet e tjera të konflikteve, si luftërat civile dhe kryengritjet. Gjithsesi dhuna njerëzore në këto konflikte ka vrarë më pak njerëz sesa vetëvrasjet, aksidentet automobilistike apo sëmundjet e lidhura me obezitetin. Baruti është bërë më pak vdekjeprurës se sheqeri.

Studiuesit diskutojnë rreth statistikave të sakta, por është e rëndësishme të shikojmë përtej matematikës. Rënia e luftimeve ka qenë një fenomen psikologjik dhe statistikor. Tipari më i rëndësishëm i tij ka qenë një ndryshim i madh në vetë kuptimin e termit “paqe”. Për pjesën më të madhe të historisë, paqja nënkuptonte vetëm “mungesë të përkohshme të luftës”. Kur njerëzit në vitin 1913 shpreheshin se kishte paqe midis Francës dhe Gjermanisë, ata donin të tregonin se ushtritë franceze dhe gjermane nuk po përplaseshin drejtpërdrejt me armë, por të gjithë e dinin se një luftë midis tyre mund të shpërthente në çdo moment.

Në dekadat e fundit, “paqja” ka arritur të ketë domëthënien “e pabesueshmërisë së luftës”. Për shumë vende, pushtimi nga fqinjët është bërë pothuajse i paimagjinueshëm. Unë jetoj në Lindjen e Mesme, kështu që e di shumë mirë se ka përjashtime nga këto tendenca. Por njohja e tendencave është të paktën po aq e rëndësishme sa të jesh në gjendje të theksosh përjashtimet.

“Paqja e re” nuk ka qenë një rast statistikor apo fantazi e lëvizjes hipi. Ajo është reflektuar më qartë në buxhetet e llogaritura në mënyrë të ftohtë, racionale. Në dekadat e fundit, qeveritë në mbarë botën janë ndjerë mjaft të sigurta duke shpenzuar mesatarisht vetëm rreth 6.5% të buxheteve të tyre për forcat e armatosura, teksa shpenzojnë shumë më tepër për arsimin, kujdesin shëndetësor dhe mirëqenien.

Ne e marrim si të mirëqenë, por është një risi mahnitëse në historinë njerëzore. Për mijëra vite, shpenzimet ushtarake kanë qenë zëri më i madh në buxhetin e çdo princi, sulltani dhe perandori. Ata nuk shpenzuan pothuajse asnjë qindarkë për edukimin ose ndihmën mjekësore për masat.

Rënia e luftimeve nuk erdhi nga një mrekulli hyjnore, ose nga një ndryshim në ligjet e natyrës. Ajo erdhi si rezultat i njerëzve që ditën të bënin zgjedhje më të mira. Është padyshim arritja më e madhe politike dhe morale e qytetërimit modern. Fatkeqësisht, fakti që buron nga zgjedhja njerëzore do të thotë gjithashtu se mund të kthehet përsëri.

Teknologjia, ekonomia dhe kultura vazhdojnë të ndryshojnë. Rritja e armëve kibernetike, ekonomive të drejtuara nga inteligjenca artificiale dhe kulturave të reja militariste mund të çojnë në një epokë të re lufte, më e keqe se çdo gjë që kemi parë më parë. Për të shijuar paqen, ne kemi nevojë që pothuajse të gjithë të bëjnë zgjedhje të mira. Në të kundërt, një zgjedhje e dobët nga vetëm njëra palë mund të çojë në luftë.

Kjo është arsyeja pse kërcënimi rus për pushtimin e Ukrainës duhet të shqetësojë çdo njeri të kësaj bote. Nëse do të bëhet përsëri normative për vendet e fuqishme që të rrëzojnë fqinjët e tyre më të dobët, kjo do të ndikonte në mënyrën se si njerëzit në mbarë botën ndihen dhe sillen. Rezultati i parë dhe më i dukshëm i një kthimi në ligjin e xhunglës do të ishte një rritje e mprehtë e shpenzimeve ushtarake në kurriz të gjithçkaje tjetër. Paratë që duhet të shkojnë për mësuesit, infermierët dhe punonjësit socialë do të shkojnë për tanke, raketa dhe armë kibernetike.

Një kthim në xhungël do të minonte gjithashtu bashkëpunimin global për probleme të tilla si parandalimi i ndryshimeve katastrofike klimatike ose rregullimi i teknologjive shkatërruese si inteligjenca artificiale dhe inxhinieria gjenetike. Nuk është e lehtë të punosh përkrah vendeve që po përgatiten të të eliminojnë. Për sa kohë ndryshimi i klimës dhe gara e armatimeve në fushën e inteligjencës artificiale po përshpejtohen, kërcënimi i konfliktit të armatosur vetëm do të rritet më tej, duke mbyllur një rreth vicioz që mund të shkatërrojë llojin tonë.

Drejtimi i historisë

Nëse besoni se ndryshimi historik është i pamundur dhe se njerëzimi nuk u largua kurrë në fakt nga xhungla dhe nuk do ta braktisë kurrë atë, atëherë zgjedhja e vetme që mbetet është nëse do të luani rolin e grabitqarit apo të gjahut. Duke pasur parasysh një zgjedhje të tillë, shumica e liderëve do të preferonin të hynin në histori si grabitqarë alfa dhe të shënonin emrat e tyre në listën e zymtë të pushtuesve që nxënësit fatkeq do të jenë të dënuar të mësojnë përmendësh për provimet e tyre të historisë.

Por ndoshta ndryshimi është i mundur? Ndoshta ligji i xhunglës është një çështje zgjedhje dhe jo një pashmangshmëri? Nëse po, çdo lider që zgjedh të pushtojë një fqinj do të zërë një vend të veçantë në kujtesën e njerëzimit, shumë më keq se Tamerlani i vrazhdë. Ai do të hyjë në histori si njeriu që shkatërroi arritjen tonë më të madhe. Pikërisht kur menduam se ishim jashtë xhunglës, ai na tërhoqi përsëri brenda.

Nuk e di se çfarë do të ndodhë në Ukrainë. Por si historian besoj në mundësinë e ndryshimit. Nuk mendoj se situata është naive – është realizëm. E vetmja konstante e historisë njerëzore është ndryshimi. Dhe kjo është diçka që ndoshta mund ta mësojmë nga ukrainasit. Për shumë breza, ukrainasit dinin pak gjë, përveç tiranisë dhe dhunës. Ata duruan dy shekuj autokraci cariste (e cila më në fund u shemb si pasojë e kataklizmës së Luftës së Parë Botërore). Një përpjekje e shkurtër për pavarësi u shtyp shpejt nga Ushtria e Kuqe që rivendosi sundimin rus. Më pas, ukrainasit përjetuan urinë e tmerrshme të shkaktuar nga njeriu, të Hollodomorit, terrorit stalinist, pushtimit nazist dhe dekadave të diktaturës komuniste shpirt-dërrmuese. Kur Bashkimi Sovjetik u shemb, historia dukej se garantonte që ukrainasit do të shkonin përsëri në rrugën e tiranisë brutale – çfarë dinin tjetër?

Por ata zgjodhën ndryshe. Pavarësisht historisë, pavarësisht varfërisë së rëndë dhe pavarësisht pengesave në dukje të pakapërcyeshme, ukrainasit vendosën një demokraci. Në Ukrainë, ndryshe nga Rusia dhe Bjellorusia, kandidatët e opozitës zëvendësuan në mënyrë të përsëritur pushtetarët. Kur u përballën me kërcënimin e autokracisë në 2004-ën dhe 2013-ën, ukrainasit u ngritën dy herë në revoltë për të mbrojtur lirinë e tyre. Demokracia e tyre është një gjë e re. Kështu është edhe “paqja e re”. Të dyja janë të brishta dhe mund të mos zgjasin shumë. Por të dyja janë të mundshme dhe mund të hedhin rrënjë të thella. Çdo gjë e vjetër dikur ishte e re. Gjithçka varet nga zgjedhjet njerëzore.

*Shkrimi i Hararit, publikuar në The Economist, pak orë përpara pushtimit rus në Ukrainë