Lajme nga Bota

‘Nëse ka shpërthime, mbaj motrën dhe mos vrapo tek unë!’ Nëna nga Kherson tregon çfarë i thotë fëmijës 7 vjeç

‘Nëse ka shpërthime, mbaj motrën dhe mos vrapo tek
Një nënë e tre fëmijëve që kërkon strehim në shtëpinë e gjyshes së saj në qytetin e pushtuar nga rusët, në Kherson, në jug të Ukrainës, thotë për CNN se kurrë nuk e kishte menduar se do t'i mësonte fëmijët e saj të vegjël se si të fshiheshin nga bombat.

"Ne po ndihemi të izoluar nga pjesa tjetër e Ukrainës tani," tha Oleksandra Zhovtyuk, duke shtuar se ata nuk dalin jashtë sepse ushtarët rusë nuk i lejojnë të dalin nga qyteti, ose të marrin ndihma.

Fëmija më i madh i Zhovtyuk është 7 vjeç dhe tashmë e kupton se çfarë po ndodh.

“Ajo zgjohet natën, qan dhe më pyet se kur do të përfundojë”, tregon ajo. "Fëmija im i mesëm, ajo nuk kupton dhe mendon se është si lojë. Në fakt, unë me të vërtetë dua që të mendojë se është si një lojë - që ne duhet të luajmë sipas rregullave."

Zhovtyuk shqetësohet se çfarë po i bën lufta fëmijës më të vogël, 18-muajshit të saj.

“Me gjithë këtë atmosferë, ai e përjeton shumë keq gjatë natës, qan dhe dëshiron të jetë me mua gjatë gjithë kohës, sepse e ndjen se diçka po ndodh”, tha ajo.

Duke folur nga streha e saj, Zhovtyuk tha se i thotë fëmijës së saj të madh se "ne duhet të jemi të fortë tani, duhet të jemi bashkë tani dhe duhet të më dëgjosh".

Fëmijët flenë në korridor pasi është pjesa më e sigurt e shtëpisë kur fillojnë granatimet, shtretërit e tyre janë shumë të pasigurt, thotë nëna.

"I thashë, nëse diçka do të shpërthejë, duhet të mbash motrën dhe të mos vraposh tek unë. Ata duhet të qëndrojnë atje dhe të jenë aty për të. Gjëja e frikshme është se ajo është 7 vjeç, dhe unë nuk e kisha menduar kurrë se do t'i thoja fëmijës tim të mos vrapojë për tek unë, por të rrijë me motrën e saj. Nuk di çfarë të them. Është shumë e frikshme", tha Zhovtyuk.