Blinken takohet me ministrin e Jashtëm të Ukrainës në kufi me Poloninë. Deklaratat që u bënë gjatë 45 minutave
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me ministrin e Jashtëm të Ukrainës në kufirin e Ukrainës me Poloninë për të diskutuar mbështetjet e shteteve perëndimore ndaj ukrainasve.
Blinken u takua me Dmytro Kuleba për 45 minuta nën siguri të lartë në një pikë kufitare plot me refugjatë që largoheshin nga pushtimi rus.
Ata folën për mediat shkurtimisht dhe bënë deklarata të fuqishme vizuale duke qëndruar krah për krah. Ata gjithashtu dhanë komente të forta, megjithëse Kuleba dha edhe paralajmërime se qytetarët e tij do ta paguanin çmimin nëse aleatët e NATO- s nuk do të vendosnin një zonë ndalim-fluturimi për të mbajtur ushtrinë ruse jashtë qiejve të Ukrainës dhe nëse bota do të lodhej nga vendosja e sanksioneve mbi Vladimir Putinin dhe Rusinë.
“Tani jemi në fazën ku ndoshta thoni ‘Jo, nuk do ta bëjmë këtë’, por koha do të vijë,” tha Kuleba sa i përket vendosjes së zonës së ndalim-fluturimit "Ukraina do ta fitojë këtë luftë gjithsesi, sepse kjo është lufta që njerëzit bëjnë për tokën e tyre... Çështja është çmimi që do të paguajnë."
Blinken ndërkohë tha se ai beson se Ukraina "do të mbizotërojë" përballë pushtimit rus që filloi në fund të muajit të kaluar. "E gjithë bota qëndron në krah të Ukrainës, ashtu si unë jam këtu në Ukrainë me mikun tim, kolegun tim."
Kuleba shtoi "Shpresoj se populli i Ukrainës do të jetë në gjendje ta shohë këtë si një manifestim të qartë se ne kemi miq që fjalë për fjalë na qëndrojnë pranë."
Associated Press raporton se Blinken vuri në dukje se mbështetja për Ukrainën dhe presioni ndaj Rusisë për t'i dhënë fund luftës do të rritet "derisa kjo luftë e zgjedhur të përfundojë".
Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë thënë vazhdimisht në 24 orët e fundit se nuk do të vendosin një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, sepse kjo do t’i fuste anëtarët e NATO-s drejtpërdrejt në konflikt me Rusinë, gjë që aleanca do ta shmangë.