Opinion

Më mirë vonë se Kurrë!

Më mirë vonë se Kurrë!

Nga Majlinda Bregu/ “Cfarë mund të quhet fitore?”, -pyeste poeti i madh gjerman Rainer Maria Rilke.

“Durimi. Ai është gjithcka.”

Sot Shqipëria ka hedhur hapin e radhës, të vonuar, në një proces plot me arritje, zhgënjime,përpjekje, bllokime, kokëfortësira, lëshime, vetëpërmbajtje e paragjykime, lëvdata e mallkime, por meqë qënia njërëzore pranon edhe ç’vjen pas vonesës si lehtësim, më mirë vonë se kurrë.

Më mirë vonë se kurrë, sepse Shqipëria ka vite që është peng në këtë rrugëtim.
Peng i zgjatjes dhe stërzgjatjeve tona historike, peng i vetes e sherrnajave tona politike, peng i krizave në Europë e i tejzgjatjes nëpër matrica të proçesit të anëtarësimit, peng i politikave nacionaliste të vendeve të tjera. Shkurt, ka vite që jeton në sprovën e durimit.
Më mirë vonë se kurrë, për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, sepse ende në këtë anë të botës, në Ballkan, Europa shihet si një model i pa të dytë për të modernizuar veten tonë. Është preferencë e parë e çdo biszesmeni për partneritet, e çdo të riu për shkollim, madje edhe e çdo të papuni për emigrim.

Më mirë vonë se kurrë edhe për pjekurinë gjeopolitike të Europës,e cila me një luftë të re në kontinent si ajo në Ukrainë, nuk ka luksin të përballojë një krizë të re të sigurisë në Ballkan.

E megjithatë, për sa kohë që dashuria jonë besnike ndaj Europës, as del e as tepron për të na bërë si gjithë Europa, edhe sot, as del e as tepron gëzimi i një arritjeje të vonuar.
Shqipëria është në një marrëdhënie kontraktuale me BE prej 2006, aplikoi për anëtarësim në 2009, mori statusin e vendit kandidat në 2014 dhe prej 2018 merr e jep mes propozimeve për çeljen e negociatave.

Në çdo fazë të këtij udhëtimi, qëndron pas mundi, vullneti dhe përkushtimi për të përmbushur detyrimet I një armate të administratës publike shqiptare ndër dekada. Pak rëndësi ka sot nësë MSA u negociua nga socialistët e u firmos kur në pushtet erdhën demokratët, apo statusi I vendit kandidat u bë gati nga demokratët dhe rastisi në kohën e socialistëve e me radhë.

Prej sot gjithsesi, idealizmi dhe zbukurimi i përpjekjeve tona për Europën që na duhet këtu, do të kalojë përmes një procesi edhe më rigoroz dhe padyshim aspak frymëzues. Fuqia e eurokratëve këtu qëndron. Të bëjnë qilizëm në çdo fazë të këtij mundi, si e vetmja garanci që godina e BE të mos shkasë prej pasionit apo furisë së politikanëve të radhës. Kushdo qofshin ata e për më tepër nëse janë nga Ballkani.
Ndaj sado të gëzohemi se më në fund triumfoi aryeja mbi mosarsyen, mirë do të ishte të mos harrojmë se “vuajtja e negociatave”, do të jetë jona.

Durim e punë të mbarë të githë armatës që do të nisë prej sot rrugëtimin e gjatë të hapjes e mbylljes së ‘tufës’ së kapitujve të negocimit, të cilat nën një diktat edhe më rigoroz, se sa më parë nga BE dhe vendet anëtare, do të jenë garancia se po e bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.

Nga tash e tutje, kush mendonte se Celja e Negociatave me BE ishte pikë për qeverinë, do të lehtësohet kur të shohë se si e sa do të jenë në lupë ligjet e zbatimi i tyre, drejtësia, sistemi gjyqësor,lufta kundër krimit e korrupsionit, kontrolli financiar, administrata publike, tregu, marrëdhëniet me fqinjët e me jashtë etj etj... Barra e reformave I bie qeverisë, por opozita ka siç e ka patur gjithnjë,edhe kur ka zgjedhur bllokimin para integrimit, barrën e mbështetjes së proçesit.

Shpresoj shumë që të mos na mungojë vetëdija dhe vullneti për tu shkëputur nga kodi zakonor politik i shkatërrimit të ndërsjellë.
Kështu që Good Luck!

Shqipëria është një vend me identitet të qartë europian. Dhe kjo nuk vjen sot me nisjen e negociatave. As sepse kemi firmosur traktatet europiane.
Është interesi kombëtar, siguria dhe mbijetesa jonë si komb, shpresa kur s’dimë nga t’ia mbajmë, dëshira e përpjekja ndër breza për ‘ditën e uruar që lind nga perëndon’ , që na cyt ta duam Europën në të përditshmen tonë.

Mes sfidave të reja të reformave europianizuese dhe vullnetit për të mos i përbuzur ato si të tepërta, erdhi dita,

‘Më mirë Vonë se Kurrë’, që të marrim seriozisht të qënit tonë Europianë.