Aktualitet

Europa filloi izolimin. Pas Francës, Italisë, Spanjës, çfarë do të ndodhë në Shqipëri?

Europa filloi izolimin. Pas Francës, Italisë, Spanjës,

Vala e dytë ka trokitur në gjithë Europën dhe çdo qeveri ka marrë masat anti-Covid.

Austria ndalon festat dhe mbledhjet familjare me më shumë se 6 persona, për çdolloj arsye.

“Këta do të jenë muaj sfidues, por sa më shumë që të bashkohemi, aq më mirë do ta kalojmë këtë fazë”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Kurse takimet në ambient të hapur mund të grumbullojnë jo më shumë se 12 vetë. Qeveria, gjithashtu, uli numrin maksimal të spektatorëve në ngjarje kulturore dhe sportive, nga 1 500 në 1 000 brenda dhe nga 3 000 në 1 500 jashtë.

Në Gjermani është vendosur me detyrim kudo maska sidomos në zonat me numër të lartë të infektuarish.

“Kur ka më shumë se 35 infektime të reja për 100 000 banorë gjatë shtatë ditëve, maskat duhet të bëhen të detyrueshme në mjediset e hapura publike”, tha Markus Soeder.

Aktualisht ka rreth 11 mijë infektime në ditë në Gjermani. Sipas ekspertëve, kur të arrijnë 20 mijë do ketë mbyllje.

Një zgjidhje e mirë, sipas, kancelares Gjermane Merkel është të takojmë më pak njerëz.

“Infeksionet e koronavirusit vazhdojnë të rriten me shpejtësi. Megjithatë, ne nuk jemi të pafuqishëm kundër virusit. Ajo që të gjithë mund dhe duhet të bëjnë tani është të zvogëloni kontaktet dhe takoni më pak njerëz”, tha Merkel në një deklaratë të shpërndarë dje në rrjetet sociale.

Uellsi është izoluar nga e premtja. Nga ora 18:00 e pasdites çdo banor është i detyruar të qëndrojë i mbyllur në shtëpi.

Madridi, si vatra më e nxehtë është izoluar nga pjesa tjetër e vendit.

Ndërkaq prej disa ditësh Franca ka vendosur kufizime orari. Parisi i madh është bosh gjatë pasditeve dhe mbrëmjes.

Në Shqipëri ndërkaq ka pasur raste ku vazhdon jeta e natës, madje përfaqësues të opozitës politike bëjnë thirrje edhe për mosmbajtje të maskës. Shifrat rriten, vdekshmëria gjithashtu. Ç`do të ndodhë në vazhdim?