Aktualitet

Dosja e SPAK për arrestin në shtëpi të Rovena Vodës: 1 mijë euro, telefon dhe peshk për një post në ministri

Dosja e SPAK për arrestin në shtëpi të Rovena Vodës: 1

Detaje nga dosja e SPAK janë publikuar nga mediat, lidhur me hetimin ndaj ish zv ministres së Brendshme Rovena Voda e cila dje mori masën e arrestit në shtëpi, me akuzën e ndikimit të paligjshëm dhe shpërdorim detyre.

Nga dosja e cituar nga mediat News 24, Abc Neës etj, thuhet se ish zv ministrja ka marrë ryshfet dhe dhurata për të punësuar një grua në ministrinë e Brendshme. Hetimi në SPAK rezulton të ketë nisur që në vitin 2019 për një çështje tjetër, por që përgjimet nxorrën rastin e Rovena Vodës.

Sipas SPAK, nga hetimi dhe përgjimet ka rezultuar se Voda i kishte premtuar Florida Beut ta punësonte si specialiste në Ministrinë e Brendshme, duke i marrë njëherë shumën prej 1 mijë eurosh, më pas një telefon dhe një arkë me peshk.

Pavarësisht se ajo ka aplikuar në 11 vende pune për t’u emëruar si specialiste, sipas SPAK ajo nuk ka kaluar as në fazën e dytë të përzgjedhjes, duke mos e përfituar vendin e punës. Në këtë moment ndërhyn Voda, duke përfituar dhurata dhe duke kryer kështu veprën penale.

Konkretisht sipas SPAK: Më 13 shkurt 2020, Majlinda Hasani, avokate, është takuar me Florida Beun dhe zv.ministren e kohës, Rovena Voda. Florida i ka kërkuar Vodës t’i gjente një vend pune. Ajo ka telefonuar një person, që kishte dijeni për vende pune. “Shefe nuk e bëj dot, por do ta rregulloj si specialiste”, ka thënë ajo. Më tej, në përgjimet e SPAK, është edhe momenti kur Beu dëgjohet t’i thotë Hasanit ““Më ngeli mendja, mos duhet të jepnim më shumë, të na vendoste në një vend të hajrit”. Ato i kanë dhënë Vodës shumën prej 1 mijë eurosh dhe sipas SPAK ky moment është filmuar, ndonëse eurot ishin në zarf.

Pas këtij momenti, thuhet në dosje, dëgjohet Majlinda Hasani, e cila thotë se Rovena Voda i përgjigjet menjëherë, jo si më parë, ku i përgjigjej pas 2-3 ditësh, sepse sipas saj, “Leku e hedh ujin përpjetë”.

SPAK thotë se më pas ato i kanë bërë dhe një telefon dhuratë Vodës dhe ky moment është filmuar. Sipas SPAK, të tre gratë janë takuar më 28.02.2020 brenda ambienteve të MB dhe pas këtij takimi Florida Beu ka aplikuar për specialiste në 11 vende pune, por asnjërin nuk e ka fituar.

Ndërsa, takimi i fundit mes tyre është bërë më 06.03.2020, ku Voda shfaqet me makinën e saj, me targa MB 276 AA, që drejtohej nga shoferi i saj, dhe është futur në Portin e Durrësit, ku Beu i ka dhënë dhe një arkë me peshk.

Sqarim: SPAL ende nuk ka publikuar njoftimin në faqen zyrtare.

*Tiranapost.al.