Zelensky mban fjalim para deputetëve britanikë: Lufta jonë është si e juaja kundër nazistëve
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbajtur një fjalim në Dhomën e Komunave, të Parlamentit britanik. Ai u lidh me videotelefonatë dhe u prit me duartrokitje të forta nga deputetët britanikë.
Presidenti Zelensky citoi Shekspirin në hyrje të fjalimit të tij, duke thënë se Ukraina ka zgjedhur "të jetë" dhe bëri thirrje për më shumë sanksione dhe për ndihmë që qiejt e Ukrainës të jenë të sigurt.
“Ju drejtohem si qytetar, si president i një vendi të madh, me ëndrra. Çështja për ne tani është të jemi apo të mos jemi – kjo është një pyetje shekspiriane. Unë mund t'ju jap përgjigjen përfundimtare. Është padyshim po - të jemi”.
Ai e krahasoi luftën e Ukrainës kundër Rusisë me luftën britanike kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
"Ju nuk donit të humbnit vendin tuaj kur nazistët donin t’ua merrnin. Ju duhej të luftonit për Britaninë. Ne nuk duam të humbasim atë që kemi, atë që është e jona, vendin tonë, Ukrainën."
Zelensky kujtoi edhe liderin britanik, Winston Churchill, ndërsa u zotua se Ukraina "do të luftojë deri në fund".
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë, pavarësisht kostos. Ne do të luftojmë në pyje, fusha, brigje dhe rrugë. Ukraina nuk do të dorëzohet dhe ne nuk do të humbasim".
Është hera e parë që një udhëheqës i huaj flet në dhomën e Komunave pasi normalisht këto lloj fjalimesh bëhen në sallën e Westminster.