Stoltenberg: NATO duhet të sigurojë që konflikti të mos përhapet përtej Ukrainës
NATO duhet të sigurohet që konflikti të mos përhapet përtej Ukrainës, tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.
Duke folur gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Riga me presidentin letonez Egils Levits, Stoltenberg vuri në dukje se "vuajtjet që shohim tani në Ukrainë janë të tmerrshme".
“Ne kemi përgjegjësi që të sigurohemi që konflikti të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte edhe më e rrezikshme, shkatërruese dhe akoma më vdekjeprurëse. Situata mund të dalë jashtë kontrollit”, tha Stoltenberg.
Në përgjigje të situatës NATO ka "forcuar ndjeshëm" praninë e saj në pjesën lindore të aleancës, shtoi Stoltenberg.
"Ne kemi 130 avionë në gatishmëri të lartë, mbi 200 anije janë poicionuar nga veriu deri në Mesdhe dhe 1000 trupa shtesë në rajon," vazhdoi shefi i NATO-s.
NATO do të “mbrojë çdo centimetër të territorit aleat”, tha Stoltenberg.
Deri më tani, NATO ka refuzuar të përfshihet drejtpërdrejt në konflikt - duke përfshirë krijimin e një zone ndalim-fluturimi – edhe pse ka mbështetur rezistencën e Ukrainës ndaj pushtimit të Rusisë.