SPORT

Abramoviç nxjerr në shitje Chelsean: Të ardhurat do të shkojnë të gjitha për viktimat e luftës në Ukrainë

Abramoviç nxjerr në shitje Chelsean: Të ardhurat do të

Roman Abramoviç konfirmon se ka nxjerrë në shitje Chelsean dhe ka falur 1.5 miliardë funte huatë që i ka dhënë klubit.

Miliarderët Hansjorg Wyss dhe Todd Boehly janë pjesë e një partneriteti që po përpiqet të blejë ekipin e Premier League. Burimet thonë se edhe një grup tjetër po përgatitet të bëjë një ofertë këtë javë.

Abramoviç konfirmoi planet e tij për të shitur klubin e futbollit në një deklaratë mbrëmjen e sotme dhe tha se të gjitha të ardhurat nga shitja do t'i dhurohen një fondacioni bamirësie i cili do të ishte i fokusuar “në ndihmimin e të gjitha viktimave të luftës në Ukrainë". Ai tha edhe se nuk do t'i kërkonte paratë që i ka huazuar Chelseas kur bleu klubin në 2003.

Abramoviç tha:

Unë gjithmonë kam marrë vendime me interesin më të mirë të klubit që kam në zemër. Prandaj, në situatën aktuale, kam marrë vendimin për të shitur klubin, pasi besoj se kjo është në interesin më të mirë të klubit, tifozëve, punonjësve, si dhe sponsorëve dhe partnerëve të klubit.

Më herët më 24 shkurt në parlamentin britanik Chris Bryant, një deputet laburist, propozoi që Britania e Madhe të konfiskonte asetet e Abramoviç dhe të mos zotëronte më klubin e futbollit pasi ishte identifikuar si i lidhur me Putinin.

Kjo kërkesë erdhi fill pas pushtimit rus të Ukrainës, në kuadër të sanksioneve që Britania e Madhe, SHBA dhe vende te tjera perëndimore nisën të merrnin kundër Putinit.