Ministri i Jashtëm i Rusisë dhe ai i Ukrainës takohen nesër në Turqi, Erdogan: Shpresojmë të hapim dyert për armëpushim të përhershëm
Për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, ministrat e jashtëm të dy vendeve kanë rënë dakord të takohen për bisedime, të cilat do të zhvillohen nesër në Turqi.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se shpreson se takimi në resortin jugor të Antalias do të "hapë derën për një armëpushim të përhershëm".
Nuk është e qartë se sa shanse ka për përparime, pasi presidenti rus ka thënë se do të arrijë qëllimet e tij qoftë përmes negociatave apo veprimeve ushtarake.
Turqia është anëtare e NATO-s, por presidenti i saj është përpjekur të krijojë një qëndrim të ndryshëm nga vendet perëndimore për pushtimin rus. Ndërsa ai tha se Turqia nuk është dakord me atë që po ndodh me ukrainasit, u shpreh edhe se sanksionet ishin "pothuajse shndërruar në një gjueti shtrigash kundër popullit rus, letërsisë, studentëve dhe artistëve".
Ai veçoi Filarmoninë e Mynihut për shkarkimin e dirigjentit të njohur dhe mbështetësit të Putinit, Valery Gergiev, duke e quajtur vendimin "qesharak".