‘Ika nga Kabuli, tani gjendem në mes të një lufte tjetër’ afganët e strehuar në Ukrainë, sërish në arrati
Afganët që ikën nga kaosi dhe luftimet që përfshinë vendin pasi talebanët pushtuan Kabulin në gusht, kanë treguar për BBC që janë të tronditur që gjenden në mes të një lufte, kësaj here në Ukrainë.
"Situata e Afganistanit kur talebanët morën pushtetin ishte më e mirë se ajo që po shoh këtu në Ukrainë. Tani po arratisemi përsëri, por këtë herë drejt një fati të panjohur," thotë Haidar Seddiqi, një ish-ushtarak afgan 36-vjeçar.
Seddiqi tregon se si u zgjua për lutjet e mëngjesit të enjten dhe gjeti kampin e tij të refugjatëve në Ukrainën veriore të përfshirë nga kaosi kur filloi pushtimi rus.
"Lajmet vetëm për sulmin flisnin. Njerëzit filluan të bërtasin të frikësuar derisa më në fund autoritetet në kamp hapën dyert dhe na thanë të iknim."
Ata ecën për më shumë se 75 km dhe arritën në qytetin verior të Chernihiv, i cili tani është një zonë konflikti. Seddiqi tani po përpiqet të arrijë kufirin perëndimor të Ukrainës për të shpëtuar.
Edhe Fazila Haidari, 26 vjeç, dhe motra e saj më e vogël janë nga Afganistani. Ato punonin si stjuardesa atje dhe përfunduan në Lviv, në perëndim të Ukrainës, pasi u larguan nga talebanët. Dy motrat prisnin që nga momenti në moment të zhvendoseshin në një vend tjetër.
Ata kanë kërkuar dëshpërimisht ndihmë, duke kontaktuar këdo që njohin.
"Ne menduam se do të ishim më të sigurta këtu, por shikoni situatën. Unë kam telefonuar UNHCR-në dhe organizata të tjera, por askush nuk po u përgjigjet thirrjeve tona," thotë Haidari.
“Isha e lumtur që u mbijetova talebanëve, por tani po pyes veten nëse largimi nga Kabuli ishte vendimi i duhur sepse tani jam në mes të një lufte tjetër”.
Ata tani janë larguar nga Lviv në përpjekje për të kaluar kufirin polak.
Rreth 5,000 afganë jetojnë në Ukrainë, duke përfshirë 370 që u strehuan në gusht kur talebanët rimorën kontrollin e vendit.