Lajme nga Bota

Dita e katërt e pushtimit rus të Ukrainës. Zhvillimet e fundit deri më tani

Dita e katërt e pushtimit rus të Ukrainës. Zhvillimet e fundit
Forcat e armatosura të Ukrainës vazhdojnë të luftojnë kundër rusëve edhe sot, në ditën e katërt të pushtimit rus. Ndërkohë që betejat vazhdojnë në të gjithë vendin, dhe së fundmi një qytet i Ukrainës lindore, Nova Kakhovka, u raportua i pushtuar nga forcat ruse, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje qytetarëve të huaj, mbështetës të Ukrainës t’u bashkohen e të luftojnë krah për krah kundër forcave pushtuese.

Këto janë zhvillimet më të fundit nga Ukraina:

Vdekjet civile: Mbrëmjen e së shtunës në një lagje perëndimore të kryeqytetit ukrainas, Kiev, u vra një djalë gjashtëvjeçar dhe plagosën disa persona të tjerë, sipas një spitali lokal. Shërbimi shtetëror i emergjencave të Ukrainës tha se një ndërtesë banimi nëntëkatëshe në qytetin lindor të Kharkiv u godit nga "artileria e armikut" po të shtunën në mbrëmje duke vrarë një grua.

Shpërthimet: Dy shpërthime të mëdha ndodhën në jugperëndim të Kievit në orët e para të mëngjesit të së dielës. Ata raportohet të kenë ndodhur në Vasylkiv, rreth 30 kilometra, ose rreth 18 milje, në jug të Kievit - qyteti me aeroport të madh ushtarak dhe tanke të shumta karburanti.

Bankat ruse të përjashtuara nga SWIFT: Shtëpia e Bardhë, Komisioni Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja thanë se mbështesin përjashtimin e disa bankave ruse nga SWIFT, rrjeti i sigurisë së lartë që lidh mijëra institucione financiare rreth botës. Ata premtuan përpjekje të mëtejshme për të “siguruar kolektivisht se kjo luftë do të jetë një dështim strategjik për Putinin”.

Ndalohen avionët rusë në territorin gjerman: Gjermania ka urdhëruar ndalimin e avionëve rusë të hyjnë në hapësirën ajrore të vendit, sipas ministrit gjerman të Transportit Volker Wissing. Me këtë lëvizje Gjermania i bashkohet Estonisë, Rumanisë, Lituanisë dhe Letonisë në ndalimin e linjave ajrore ruse nga hapësira e tyre ajrore.

Dënimi i synimit të infrastrukturës civile nga rusët: Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič tha se ai dënon fuqishëm sulmet ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë. Megjithë mohimet ruse, raportet për granatimet e ndërtesave të apartamenteve dhe kopshteve, civilët e vrarë dhe raketat që janë gjetur në rrugët e banimit kanë ardhur që nga fillimi i sulmeve.

Protestat në mbarë botën: në qytete në mbarë botën ka pasur tubime në mbështetje të Ukrainës këtë fundjavë, duke përfshirë Shën Petersburg, Uashington DC, Barcelonë, Nju Jork, Bruksel, Millan, Tbilisi dhe Londër. Ndërkohë, gati 2,700 njerëz u arrestuan në protestat kundër luftës në Rusi që nga e enjtja, sipas faqes së pavarur të monitorimit të protestave OVD-Info.

Ndihmat ushtarake për Ukrainën: Gjermania do t'i dorëzojë Ukrainës 1000 armë antitank dhe 500 raketa Stinger, gjë që shënon një ndryshim të madh të politikës gjermane e cila i rezistoi thirrjeve fillestare të Kievit për armatim mbrojtës. Dhe SHBA autorizoi 350 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake amerikane për Ukrainën, duke përfshirë “sisteme anti-blindash dhe kundërajrore, armë të vogla dhe municione të kalibrit të ndryshëm”, tha një zyrtar i administratës Biden.

Bllokimi i reklamave te mediave shtetërore ruse: Edhe Alphabet, kompania amë e platformës, YouTube, ka thënë se mediat shtetërore ruse nuk do të mund të përfitojnë nga reklamat më në këtë rrjet. Russia Today (RT) dhe kanale të tjera nuk mund të marrin para nga reklamat në YouTube dhe faqe tjera që janë në pronësi të Alphabet. Kompania ka thënë se këto media as nuk do të mund të blejnë reklama përmes shërbimeve të kompanisë Google.