Moti

Ikën vala e të nxehtit, moti freskohet në ditët në vijim

Pas temperaturave shumë të larta që kanë përfshirë vendin ditët e fundit, moti në Shqipëri pritet të freskohet ndjeshëm duke nisur nga dita e mërkurë. Meteorologia Tanja Porja bëri të ditur se kjo e martë do të karakterizohet nga mot i kthjellët dhe temperatura të larta, ndërsa në ditët pasuese pritet një rënie graduale e tyre.

Sipas saj, gjatë ditës së sotme do të mbizotërojë moti me diell, me vranësira të pakta e kalimtare, të cilat në orët e vona të pasdites do të shtohen, duke sjellë reshje të dobëta dhe afatshkurtra në zonat kufitare veriore.

Nga mesdita e së mërkurës, temperaturat do të ulen me 4-5 gradë. Nëse sot maksimalet pritet të arrijnë 39-40°C, nesër ato nuk do të kalojnë 35°C, kryesisht në zonën Elbasan-Berat, ku priten edhe vlerat më të larta. Rënia e temperaturave do të vijojë edhe gjatë së enjtes.

Sipas parashikimit, e premtja dhe fundjava do të sjellin kushte më të favorshme atmosferike, me mëngjese të freskëta dhe temperatura maksimale që do të zbresin rreth 30°C. Edhe temperaturat minimale do të shënojnë ulje, veçanërisht nga e enjtja, kur pritet të jenë rreth 3 gradë më të ulëta.

Mëngjeset e së premtes deri të dielën do të jenë dukshëm më të freskëta, me temperaturat minimale që në disa zona të vendit mund të zbresin në 8-9°C, duke sjellë një ndryshim të ndjeshëm nga i nxehti i ditëve të fundit.