Volodymyr Zelensky, ai që dikur argëtonte kombin sot është zëri i tij. Si u bë heroi i Ukrainës dhe i gjithë botës
Në mëngjesin e 26 shkurtit, Volodymyr Zelensky postoi një video të tij në Twitter. Pas një nate me luftimet më të ashpra që ka parë Kievi që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe nga propaganda e Moskës që pretendonte se ai kishte ikur nga kryeqyteti i frikësuar, presidenti i Ukrainës doli nga zyra me sy të kuq dhe i parruar. Me një telefon filmonte veten duke kaluar pranë Shtëpisë së Chimaeras, rezidenca presidenciale.
Ai i buzëqeshi kamerës dhe tha: “Mirëmëngjes të gjithë ukrainasve! Ka shumë fjalë të rreme që qarkullojnë…por unë jam këtu.”
Zelensky dukej i rraskapitur, por i lumtur: i lumtur që ishte gjallë, i lumtur që Kievi nuk kishte rënë dhe i lumtur që po luaante rolin e një lideri kombëtar, duke ruajtur qetësinë e tij dhe të vendit të tij në orën më të errët të historisë 30-vjeçare të Ukrainës si shtet i pavarur. Ky nuk ishte roli që ai zgjodhi, por ai që iu ngarkua kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt dhe që po e mban me dinjitet, forcë dhe një humor të hollë.
Kur Amerika i ofroi ta evakuonte me avion në një vend të sigurt, ai u përgjigj: “Lufta është këtu. Unë kam nevojë për municion antitank, jo për udhëtim.”
Një natë më parë, duke folur në Moskë, Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, ishte zotuar të ekzekutonte Zelenskyn. Presidenti i Ukrainës është një rusishtfolës me origjinë hebraike. Megjithatë, Putin e quajti atë dhe qeverinë e tij "nazistë të droguar".
Kontrasti midis këtyre dy deklarimeve nuk mund të ishte më i habitshëm. Nëse, siç tha dikur Putin, Ukraina është anti-Ruse, atëherë Zelensky është gjithçka që Putin nuk është. Ai është i ri dhe karizmatik. Ai është përqafuar, dashur dhe pranuar nga njerëzit e tij dhe nga bota. Ai po lufton për vendin e tij jo në emër të një fantazie të errët perandorake, por nga bindja se Ukraina është sovrane dhe e pavarur.
Zelensky ka lindur në vitin 1978 në Kryvyi Rih, një qytet industrial në juglindje të Ukrainës, një qendër e minierave të hekurit dhe metalurgjisë. Filmi i tij i preferuar ishte "Një herë në Amerikë". Për të mbijetuar mes bandave me thikë të qytetit, duhej të kishe sens humori dhe forcë që të mbronte veten. Zelensky i kishte të gjitha këto gjëra, me bollëk madje.
Hyri në skenën politike në vitin 2019 duke hedhur poshtë ndarjen gjuhësore, historike dhe etnike që është shfrytëzuar prej kohësh si nga politikanët ukrainas ashtu edhe nga Kremlini. Zelensky nuk udhëhiqej as nga nacionalizmi dhe as nga ideologjia. Ai nuk ishte as revolucionar. Ai ishte Çdo njeri.
Në një vend ku politika ishte degëzim i biznesit dhe ku parlamenti ishte vendi ku elita bënte tregti, Zelensky kishte një pasuri më të madhe se paratë, partitë dhe kanalet televizive: kishte popullaritet dhe një karakter që bënte për vete njerëzit e lodhur nga lufta, mashtrimet dhe cinizmi i elitave. Ata adhuronin jo aq shumë Zelenskyn, sa personazhin e tij televiziv Holoborodko, një mësues shkolle që fliste thjeshtë dhe papritur u shndërrua në president.
Ndërkohë që paraardhësi i tij, Petro Poroshenko, një oligark, për fushatën presidenciale veshi uniformën ushtarake dhe bëri fushatë me sloganin "Gjuhë, ushtri, besim", Zelensky, regjistroi video, me hundën e kuqe të një kllouni. “Unë sfidova … politikën e elitave tona. Më quajtën klloun. Unë jam një klloun dhe jam shumë krenar për këtë.” Por mesazhi i tij ishte serioz: ata po mashtronin njerëzit, ndërssa ai po tregohej i sinqertë.
Zelensky hyri në presidencën e vërtetë me pak plane të qarta, por me synimin për t'i përmirësuar gjërat.
Në vitin e tretë të presidencës së tij dhe në ditën e tretë të pushtimit, ky politikan i kthyer në aktor po kthehet shpejt në një hero, jo vetëm për Ukrainën, por për gjithë botën. “Zelensky po lufton si një luan dhe e gjithë Ukraina bashkë me të”, thotë Sevgil Musaeva, një gazetare ukrainase dhe redaktore e Ukrainska Pravda, faqja kryesore e lajmeve në internet e vendit.
Megjithatë, vetëm disa javë më parë, shumë ukrainas dhe të huaj e kishin trajtuar Zelensky me përbuzje dhe keqardhje. Ndërsa presioni rus u rrit dhe Putin kërcënoi Ukrainën me luftë, ai dukej se s’mund të bënte asgjë. Popullariteti i tij po binte, investitorët dhe oligarkët po iknin nga Ukraina dhe liderët e huaj po e shtynin të bënte kompromis me Kremlinin për marrëveshjet e Minskut të nënshkruara nga paraardhësi i tij në tytën e armës në 2015. Shumë dyshuan se një ish-komedian ishte njeriu i duhur për të udhëhequr një vend që do të pushtohej.
Megjithatë, në gjithë këtë betejë, Zelensky ka pasur sukses dhe është kthyer në një lider të vërtetë pikërisht nga aftësitë e tij si aktor për t'iu përgjigjur audiencës. Ukraina është bashkuar pas pushtimit. Ai frymëzohet aq shumë prej popullit të tij, po aq sa i frymëzon ata.
Zelensky është përfaqësim i Ukrainës, jo si mit i idealizuar, por si realitet. Ashtu si vendi që ai drejton, Zelensky është larg nga perfektja dhe shpesh është zhgënjyes. Gjatë dekadave të fundit Ukraina ka zbuluar ngadalë se çfarë do të thotë të jesh një demokraci. Ndryshe nga Rusia, është një vend ku njerëzit zgjedhin presidentët e tyre dhe i dëbojnë nëse dështojnë.
Në fjalimin e tij për fitoren presidenciale në vitin 2019, Zelensky e pohoi këtë realitet me shembullin që dha: "Të gjitha vendet e ish-Bashkimit Sovjetik: na shikoni ne, gjithçka është e mundur". Ndoshta ishte kjo, që e bëri atë armikun më të rrezikshëm të Putinit.
Edhe përgjigja e tij ndaj fjalimit kombëtar njëorësh të Putin më 21 shkurt, që ishte një shpallje lufte, ishte e shkurtër dhe e mprehtë: “Nuk kemi kohë për leksione të gjata historie, nuk do të flas për të kaluarën. Më lejoni t'ju tregoj për të tashmen dhe të ardhmen. Kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës do të qëndrojnë ashtu siç janë. Ne do të vazhdojmë të jemi të qetë dhe të sigurt.”
Edhe në videon e postuar jashtë reziudencës presidenciale, pasi tha se ishte shënjestruar si targeti numër 1 i rusëve, Zelensky sërish mbajti të njëjtin qëndrim: "Ne do të mbrojmë vendin tonë, sepse arma jonë është e vërteta dhe e vërteta jonë është se kjo është toka jonë, ky është vendi ynë, i fëmijëve tanë dhe ne do ta mbrojmë.”
Nëse fati deri më tani e ka favorizuar Zelenskyn, kjo ndodh sepse ai ka virtytin që i mungon Putinit: ai flet popullit të tij me të vërtetën.