
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim të ashpër para kombit të tij mbrëmjen e së dielës, gjatë të cilit paralajmëroi trupat ruse se do t’i ndëshkojë ata që po kryejnë mizori në Ukrainë. “Nuk do të falim. Nuk do të harrojmë. Do t’i ndëshkojmë të gjithë ata që kanë kryer mizori gjatë kësaj lufte në tokën tonë.”
Presidenti ukrainas kritikoi edhe liderët perëndimorë që kanë dështuar për t'iu përgjigjur njoftimit të ministrisë ruse të Mbrojtjes se do të godiste kompleksin ushtarako-industrial të Ukrainës. “Nuk kam dëgjuar as edhe një lider të vetëm botëror të reagojë ndaj kësaj,” tha ai. Sipas Zelenskyt guximi i agresorit është një sinjal i qartë për perëndimin se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nuk janë të mjaftueshme.
Një aeroplan me diplomatë rusë të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara u largua nga Aeroporti Ndërkombëtar John F. Kennedy i Nju Jorkut për në Moskë mbrëmjen e djeshme.
SHBA nuk beson se sulmi rus në ose afër qytetit ukrainas të Odesa është i pashmangshëm, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, sipas Reuters. Ka pasur shqetësime në rritje për një sulm të mundshëm në qytet.
Rusia ka udhëzuar të gjitha faqet e internetit dhe shërbimet shtetërore që të kalojnë në sistemin rus të emrave të domenit deri më 11 mars, sipas mediave shtetërore ruse. Kjo masë mund të jetë një shenjë se Rusia po fillon përgatitjet për shkëputje nga interneti global.
Ndërkohë, grupi i hakerëve Anonymous pretendoi se kishte hakuar shërbimet ruse të transmetimit Wink dhe Ivi dhe kanalet televizive drejtpërdrejt Rusia 24, Channel One dhe Moska 24 për të transmetuar pamje nga Ukraina.
Netflix njoftoi se do të ndalojë shitjen dhe ofrimin e shërbimeve të tij në Rusi për momentin. Studiot e mëdha të Hollivudit kanë shtyrë gjithashtu premierat e filmave të rinj në vend. Edhe TikTok dhe American Express pezulluan shërbimet brenda Rusisë.
Ukraina do t'i kërkojë gjykatës së lartë të Kombeve të Bashkuara të hënën të nxjerrë një vendim urgjent që kërkon që Rusia të ndalojë pushtimin e saj, duke argumentuar se justifikimi i Moskës për sulmin bazohet në një interpretim të gabuar të ligjit të gjenocidit.
Kryeministri britanik Boris Johnson është zotuar të dërgojë më shumë pajisje mbrojtëse dhe 100 milionë dollarë në Ukrainë për të penguar avancimin e trupave ruse dhe për të zbutur presionet financiare me të cilat përballet vendi, por u akuzua se kjo lëvizje vjen po bëhet shumë ngadalë për të pastruar paratë e pista të oligarkëve në MB.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar publikoi raportin e saj të fundit të inteligjencës ku thuhet se forcat ruse bënë "përparime minimale tokësore" gjatë fundjavës, ndërsa një "nivel i lartë i sulmeve ajrore dhe artilerie ruse" ka goditur objektet ushtarake dhe civile nëpër qytetet e Kharkiv. Mykolaiv, Chernihiv dhe Mariupol.
Gjimnasti rus Ivan Kuliak, i cili mbante një simbol të lidhur me pushtimin e Ukrainës në një podium ku mori medalje së bashku me një konkurrent ukrainas, është thirrur në Rusi, ku i është folur për "sjelljen e tij tronditëse".
Më shumë se 4,300 njerëz janë arrestuar në Rusi pasi demonstruesit protestuan në 21 qytete për të dënuar pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin.
Një raund tjetër bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë pritet të zhvillohet sot, sipas zyrtarëve ukrainas. Megjithatë, në një bisedë telefonike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, Putin tha se konflikti do të ndalet vetëm nëse Ukraina ndalon së luftuari dhe kërkesat e Rusisë plotësohen. Presidenti rus tha gjithashtu se negociatorët e Ukrainës duhet të kenë një qasje më "konstruktive" në bisedimet me Moskën duke marrë parasysh realitetin në terren. Ukraina ka thënë se nuk është e gatshme të bëjë kompromis për integritetin e saj territorial.