Lajme nga Bota

SHBA: Rusia po planifikon të kërcënojë ushtarët ukrainas se do të vrasë familjet e tyre nëse nuk dorëzohen

SHBA: Rusia po planifikon të kërcënojë ushtarët
Administrata Biden beson se Rusia do të kërcënojë se do të vrasë familjet e ushtarëve ukrainas nëse ata nuk dorëzohen, tha një zyrtar amerikan të premten në mes të pushtimit të vazhdueshëm rus të Ukrainës, raporton CNN.

“Informacionet tona tregojnë gjithashtu se Rusia planifikon të kërcënojë me vrasjen e anëtarëve të familjeve të ushtarëve ukrainas nëse ata nuk dorëzohen”, tha zyrtari, i cili gjithashtu përgëzoi “trimërinë e jashtëzakonshme” që ukrainasit treguan në ditën e parë të luftimeve.

Departamenti i Shtetit nuk u përgjigj menjëherë kur u pyet se pse SHBA besojnë se kjo është ajo që do të bëjnë rusët.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken kohët e fundit ka paralajmëruar për mundësinë e abuzimeve të të drejtave të njeriut kundër popullit ukrainas të kryera nga Rusia.

“Të gjitha provat sugjerojnë se Rusia synon të rrethojë dhe kërcënojë Kievin, dhe ne besojmë se Moska ka zhvilluar plane për të shkaktuar abuzime të përhapura të të drejtave të njeriut – dhe potencialisht më keq – mbi popullin ukrainas”, tha ai të enjten.

Zyrtari amerikan tha gjithashtu se Kremlini po kryen një fushatë dezinformimi për të sugjeruar se një numër i madh i trupave ukrainase tashmë janë dorëzuar te forcat ruse.

“Ne lavdërojmë popullin ukrainas për shfaqjen e forcës dhe vendosmërisë në përgjigje të një sulmi të paprovokuar nga një ushtri shumë më e madhe”, tha zyrtari, duke shtuar “Ne jemi të shqetësuar, megjithatë, se Rusia planifikon t'i dekurajojë ata dhe të nxisë dorëzimin përmes dezinformimit. Informacioni ynë tregon se Rusia po krijon një fushatë dezinformimi duke publikuar raporte të rreme për dorëzimin e gjerë të trupave ukrainase.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha të enjten se 137 njerëz u vranë gjatë ditës së parë të pushtimit rus, por ai tha se ata vdiqën si hero dhe nuk u dorëzuan.