Rusi, arrestohet prifti pasi predikoi kundër luftës

Në Rusi, grupet aktiviste raportojnë se një prift që mbajti një predikim kundër luftës në meshën e së dielën është arrestuar dhe do të dalë para gjykatës ditën e sotme.
BBC raporton se At Ioann Burdin u arrestua menjëherë pasi bëri një predikim në një kishë të vogël në fshatin Karabanovo.
Ai kishte predikuar kundër luftës, u kishte përshkruar vendasve granatimet dhe shkatërrimet e vazhdueshme në qytetet ukrainase, dhe gjithashtu kishte shpërndarë një peticion dhe imazhe kundër luftës në faqen e internetit të famullisë.
Policia e ka akuzuar atë për “diskreditim të përdorimit të Forcave të Armatosura”, një vepër penale që dënohet me ligj në Rusi, nga java e kaluar.
Që nga fillimi i luftës, ka pasur shtypje brutale të protestave në Rusi, ku pavarësisht rreziqeve mijëra njerëz ende dalin në rrugët e dhjetëra qyteteve për të protestuar. Më se 13,000 njerëz janë arrestuar deri më tani, duke përfshirë mbi 4,600 që u arrestuan gjatë ditës së djeshme, sipas OJQ-ve lokalë.