Opinion

Harari: Pse Vladimir Putin e ka humbur që tani luftën

Harari: Pse Vladimir Putin e ka humbur që tani luftën

Yuval Noah Harari/ Më pak se një javë pas nisjes së luftës, duket gjithnjë e më shumë e mundshme që Vladimir Putin të shkojë drejt një disfate historike. Ai mund të fitojë të gjitha betejat, por ta humbasë në fund luftën. Ëndrra e Putinit për rindërtimin e perandorisë ruse ka mbështetur gjithmonë gënjeshtrën se Ukraina nuk është një komb i vërtetë, se ukrainasit nuk janë një popull i vërtetë dhe se banorët e Kievit, Kharkivit dhe Lvivit dëshirojnë të qeverisen nga Moska. Kjo është fund e krye një gënjeshtër – Ukraina është një komb me më shumë se një mijë vjet histori dhe Kievi ishte një metropol i madh kur Moska nuk ishte as një fshat. Por despoti rus e ka përsëritur kaq shumë gënjeshtrën e tij, sa që tani edhe vetë po e beson.

Kur planifikonte pushtimin e Ukrainës, Putin është mbështetur në shumë fakte të njohura. Ai e dinte se Rusia ushtarakisht e mund Ukrainën. Ai e dinte se NATO nuk do të dërgonte trupa për të ndihmuar Ukrainën. Ai e dinte se varësia evropiane nga nafta dhe gazi rus do t'i bënte vendet si Gjermania të hezitonin për vendosjen e sanksioneve të ashpra. Bazuar në këto fakte të njohura, plani i tij ishte të godiste fort dhe shpejt Ukrainën, ‘t'i priste kokën’ qeverisë së saj, të krijonte një regjim kukull në Kiev dhe të zbehte tërbimin e sanksioneve perëndimore.

Por kishte një të panjohur të madhe në këtë plan. Siç mësuan amerikanët në Irak dhe sovjetikët në Afganistan, është shumë më e lehtë të pushtosh një vend sesa ta mbash atë. Putini e dinte se kishte fuqinë për të pushtuar Ukrainën. Por a do ta pranonte populli ukrainas regjimin kukull të Moskës? Putini vuri bast se do ta donin. Në fund të fundit, siç ia shpjegoi vazhdimisht kujtdo që dëshironte ta dëgjonte, Ukraina nuk është një komb i vërtetë dhe ukrainasit nuk janë një popull i vërtetë. Në vitin 2014, njerëzit në Krime e patën të vështirë t`u rezistonin pushtuesve rusë. Pse 2022-shi duhet të ishte ndryshe?

Çdo ditë që kalon, po bëhet më e qartë se bixhozi i Putinit po dështon. Populli ukrainas po reziston me gjithë zemër, duke fituar admirimin e të gjithë botës - dhe duke fituar luftën. Shumë ditë të zeza janë përpara. Rusët mund të pushtojnë të gjithë Ukrainën. Por për ta fituar luftën, rusët do të duhej ta mbanin Ukrainën dhe ata mund ta bëjnë këtë, vetëm nëse populli ukrainas i lejon. Kjo duket gjithnjë e më e pamundur të ndodhë.

Çdo tank rus i shkatërruar dhe çdo ushtar rus i vrarë rrit guximin e ukrainasve për të rezistuar. Dhe çdo ukrainas i vrarë thellon urrejtjen e ukrainasve. Urrejtja është emocioni më i shëmtuar. Por për kombet e shtypura, urrejtja është një thesar i fshehur. E varrosur thellë në zemër, kjo urrejtje mund të mbajë rezistencën për breza me radhë. Për të rivendosur perandorinë ruse, Putinit i duhet një fitore relativisht pa gjak që do të çojë në një paqe, relativisht pa urrejtje. Duke derdhur gjithnjë e më shumë gjak ukrainas, Putin po sigurohet që ëndrra e tij të mos realizohet kurrë. Nuk do të jetë emri i Mikhail Gorbaçovit i shkruar në certifikatën e vdekjes së perandorisë ruse: do të jetë ai i Putinit. Gorbaçovi i lejoi rusët dhe ukrainasit të ndiheshin si vëllezër e motra; Putini i ka kthyer në armiq dhe ka siguruar që kombi ukrainas tani e tutje do ta përkufizojë veten si kundërshtarë me Rusinë.

Kombet janë ngritur në fund të fundit mbi histori. Çdo ditë që kalon shton më shumë histori që ukrainasit do të tregojnë jo vetëm në ditët e errëta që vijnë, por në dekadat dhe brezat që do të vijnë. Presidenti që refuzoi të ikte nga kryeqyteti, duke i thënë SHBA-së se i duhen municione, jo një udhëtim; ushtarët nga ishulli i gjarpërinjve që i thanë një luftanijeje ruse 'shko pirdhu; civilët që u përpoqën të ndalonin tanket ruse duke u zënë rrugën me trup. Mbi këto histori janë ndërtuar kombet. Në planin afatgjatë, këto histori do të kenë vlerë më shumë se tanket.

Despoti rus duhet ta ketë të qartë këtë si çdokush tjetër. Në fëmijëri, ai u rrit me tregime të filtruara për trimërinë ruse në rrethimin e Leningradit. Tani po krijon më shumë histori të tilla, por duke e vendosur veten në rolin e Hitlerit.

Historitë e trimërisë ukrainase u japin vendosmëri jo vetëm ukrainasve, por gjithë botës. Ata u japin kurajo qeverive të kombeve evropiane, administratës amerikane, madje edhe qytetarëve të shtypur të Rusisë. Nëse ukrainasit guxojnë të ndalojnë një tank me duar të zhveshura, qeveria gjermane mund të guxojë t'i furnizojë ata me disa raketa antitank, qeveria amerikane mund të shkëpusë Rusinë nga SËIFT dhe qytetarët rusë mund të guxojnë të demonstrojnë kundërshtimin e tyre ndaj kësaj lufte të pakuptimtë.

Fatkeqësisht, kjo luftë ka të ngjarë të jetë e gjatë. Por çështja më e rëndësishme tashmë është vendosur. Ditët e fundit i kanë dëshmuar të gjithë botës se Ukraina është një komb i vërtetë, se ukrainasit janë një popull i vërtetë dhe se ata definitivisht nuk duan të jetojnë nën një perandori të re ruse. Pyetja kryesore e mbetur e hapur është se sa kohë do të duhet që ky mesazh të depërtojë në muret e trasha të Kremlinit?