Zelensky jep sinjalin e parë për kompromis me Rusinë! Ja për çfarë mund të bihet dakord

“Për Krimenë dhe Donbasin mund të diskutojmë me Rusinë dhe të gjejmë një kompromis se si të vazhdojmë të jetojmë, por Ukraina nuk do të pranojë asnjë ultimatum nga Kremlini”, kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një intervistë për rrjetin amerikan ABC.
Ky është sinjali i parë i asaj që duket të jetë një propozim kompromisi mbi disa nga kërkesat e Moskës, për të ndaluar luftën pushtuese.
Një propozim kompromisi dhe jo një dorëzim - theksoi Zelensky - i cili në çdo rast përjashtonte njohjen e dy republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut dhe aneksimin e Gadishullit të Detit të Zi në Rusi.
“Nëse flasim për territore të pushtuara përkohësisht dhe republika që nuk njihen nga askush mund të diskutojmë dhe të gjejmë një kompromis. Për mua është e rëndësishme të di se si njerëzit që duan të jenë pjesë e Ukrainës do të jetojnë në ato territore. E rëndësishme është që Putini të fillojë të flasë”, tha Zelenksy.
Nga Moska, për momentin, nuk ka përgjigje. Kushtet që Kremlini përsërit prej ditësh janë: 1) çmilitarizimi dhe 'denazifikimi' i Ukrainës (ekuivalenti i ndryshimit të qeverisë); 2) garanci për statusin 'neutral' të Ukrainës; 3) njohja e Krimesë; 4) Heqja dorë e Kievit nga Donbass.
Prej ditësh, presidenti Zelensky i ka kërkuar një takim presidentit Putin, por kërkesa e tij – e mbështetur nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan – është injoruar.
Nesër në Turqi, në Antalia, është planifikuar një takim mes ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe ministrit ukrainas, Dimitri Kuleba, i pari ballë për ballë në nivel të lartë që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, më 24 shkurt.