Lajme nga Bota

BE-ja sanksionon Putinin dhe Lavrovin: Përgjegjës që në Ukrainë po vdesin njerëz të pafajshëm

BE-ja sanksionon Putinin dhe Lavrovin: Përgjegjës që në
Bashkimi Evropian do të sanksionojë presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov, ka konfirmuar ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

"Ne tani listojmë gjithashtu Presidentin e Republikës z. Putin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme z. Lavrov," u tha Baerbock gazetarëve.

Ata janë përgjegjës për faktin se në Ukrainë po vdesin njerëz të pafajshëm, ata janë përgjegjës për faktin se sistemi ndërkombëtar është nëpërkëmbur dhe ne si evropianë nuk e pranojmë këtë, tha Baerbock.

Të enjten, BE njoftoi një sërë sanksionesh kundër Rusisë, për të cilat shefja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen tha se do të rriste kostot e huamarrjes së Rusisë, do të rriste inflacionin dhe do të "gërryente gradualisht bazën industriale të Rusisë".

Më herët është raportuar se Bashkimi Evropian është në bisedime për ngrirjen e aseteve të presidentit rus Vladimir Putin dhe ministrit të jashtëm Sergei Lavrov në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.

Masa do të nënkuptojë që bankat me bazë në BE do të ndalohen të vënë në dispozicion fonde për ta, edhe pse kjo do të varet nga shkalla e bashkëpunimit nga subjektet financiare.

Vendimi do të përjashtojë vendosjen e ndalimit të udhëtimit, një sanksion i rregullt që shpesh shoqëron ngrirjen e aseteve, për të mbajtur të hapura kanalet diplomatike.

Duke folur përpara një takimi të ministrave të punëve të jashtme të BE-së, ku do të miratohen sanksione te tjera kundër Rusisë , Joseph Borrell ka konfirmuar sanksionet për Putin dhe Lavrov:

Nëse nuk ka surpriza dhe askush nuk kundërshton pasi ne kërkojmë unanimitet atëherë, po, Putin dhe Lavrov do të jenë në listë.

Tiranapost.al