Veliaj mbledh në një takim personalitetet e Njësisë 7
Kryebashkiaku Erion Veliaj mblodhi në një takim personalitetet e Njësisë 7 ku vlerësoi kontributin e tyre duke shpërndarë edhe certifikata mirënjohjeje.
“Shumë njerëz më thonë që Tirana njihet si qytet modern, që po zhvillohet, ku ka progres, njihet si qytet i ri dhe europian. Të gjitha këto janë gjëra shumë të mira. Por, nëse do të zgjidhja, do të doja se Tirana duhet të njihet si qytet njerëzor, ku njerëzit i thonë tjetrit: ‘Faleminderit! Bravo të qoftë! Jam krenar për ty!’ Qytetet e njerëzishme bëhen edhe moderne, bëhen edhe të zhvilluara ekonomikisht, bëhen edhe evropiane”, tha Veliaj.
“Vetëm me besim te njëri-tjetri”, - tha kryebashkiaku - “qyteti ecën përpara”.
“Do doja që këto aktivitete të ishin edhe kundërhelm për shoqërinë tonë, për të thënë: ‘Prit ore, se shumica e shoqërisë sonë nuk e ka humbur besimin te doktori, nuk e ka humbur besimin te arti i mirëfilltë, nuk e ka humbur besimin te pikturat, te skulpturat, nuk e ka humbur besimin te sporti. Ne kemi nevojë për këtë ilaç, dhe për t’i thënë shoqërisë: Këta janë njerëzit me vlera, këta janë njerëzit që kanë sakrifikuar nga jeta e tyre, këta janë njerëzit që, në ditët më të vështira, kur nuk i kishin këto kushte, kanë ruajtur jetën”, tha Veliaj.
E pranishme në takim ishte edhe Etilda Gjonaj, deputete e PS-së.