Një rrugë në Tiranë nga sot mban emrin Fatos Baxhaku
Një rrugë në Tiranë nga sot do të mbajë emrin e gazetarit të ndjerë Fatos Baxhaku.
Fatos Baxhaku u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare. Sot familjarët e tij morën edhe simbolikisht tabelën me rrugën që mban emrin e tij.
Ceremonia u zhvillua në zyrën e kryebashkiakut Veliaj.
“Është një ndjesi shumë e bukur të kujtojmë një mik, një vëlla - disa e kanë mik e vëlla prej shpirtit e gjakut, disa prej nesh e ‘adoptuan’ si të tillë pasi e njohëm. Fatos Baxhaku i përkiste një gjenerate që nuk vjen më. Unë do doja që kjo gjeneratë të shtohej, por qartazi ka ndryshuar shumëçka nga ajo kohë kur gazetaria ishte idealizëm, kur profesioni ishte më shumë mision se kontabilitet në fund të muajit, kur të qenit mentor i të folurit mirë për dikë, të promovuarit një brez të ri, ishte një detyrë mbi detyrat në sensin e jo vetëm të përcjelljes së një zanati apo profesioni, por të dijes që shkon dorë më dorë”, u shpreh Veliaj.
Në emër të familjes, fjalën e mbajti vëllai i gazetarit Fatos Baxhaku, Artur Baxhaku.
“Tosin e kanë dashur shumë sa ishte gjallë. E shoh edhe tani. Nuk është vetëm dashuri, por edhe vlerësim për punën e tij, për idealet që ai kishte, pasionin dhe mendimet për të përmirësuar sadopak dhe për t’i shërbyer këtij komuniteti, njerëzve. Gjesti juaj i vë vulën këtij vlerësimi. Ju falenderoj shumë në emër të familjes”, u shpreh ai.