Evente

Drekën e Fitër Bajramit në Tiranë e shërbeu Noizy 

Drekën e Fitër Bajramit në Tiranë e shërbeu Noizy

Noizy u shfaq sot në një nga qendrat sociale në Tiranë dhe shërbeu drekën e Fiter Bajramit për familjet në nevojë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar.

I shoqëruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, reperi u bë pjesë e shërbesës në qendrën sociale “Gonxhe Bojaxhi”.

“Uroj që të jeni mirë të gjithë. Personalisht nuk e dija që këto lloj qendrash ekzistojnë. E dija që ka 1 apo 2, por fakti që Tirana ka 9 të tilla, uroj që të gjithë qytetet e tjera të marrin shembull nga Bashkia e Tiranës e të ndihmojnë njerëzit në nevojë, sidomos ata që janë prekur nga tërmeti. Zoti ju dhëntë shëndet, të keni durim sepse ditët më të bukura po vijnë dhe me ndihmën e njeri-tjetrit mund t’ja dalim përpara”, tha Noizy.

“Noizy vjen për herë të parë këtu në zonën e rindërtimit. Nuk i kishte parë gjithë këto pallate të reja që janë ndërtuar. Është shumë kollaj të shash diçka që s’e ke parë ose që nuk të pëlqen. Është shumë e vështirë të bësh gjëra të bukura. Lagjja e re do i japë një hov të jashtëzakonshëm, do kthehet si një qendër e re e Tiranës. Po fillon ndërtimi edhe i godinës së Tatimeve e Doganave, por ndërkohë do ketë edhe një hapësirë për besimtarët sepse kur ndërtohet një lagje e re, duhet të ketë edhe institucionet civile, edhe institucionet e besimit. Dua t’ju uroj të gjithëve: Ju dhëntë Zoti shëndet, jetë, durim, për ju e të dashurit tuaj. Qofshin të kaluara gjithë ato halle, gjithë ato vështirësi që mund të kenë ndodhur”, tha Veliaj.