60-vjetori i shkollës Ismail Qemali bën bashkë personazhet e njohur që studiuan aty
60-vjetori i gjimnazit “Ismail Qemalit” bëri bashkë sot, në një ditë festimesh për këtë jubilee, nxënës dhe mësues që studiojnë në këtë gjimnaz, si dhe personalitete të fushave të ndryshme, të cilët kanë përfunduar studimet e tyre ndër vite. Në përvjetorin që përkon edhe me 110-vjetorin e Pavarësisë, në mjediset e gjimnazit të Tiranës u zhvilluan një sërë aktivitetesh.
Skena të qëndisjes së flamurit u improvizuan nga nxënësit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në aktivitet tha:
“Në 1912-ën e pyesin Ismail Qemalin: Çfarë doni të arrini me këtë përpjekje për Shqipërinë? Ai thotë 3 gjëra: Duam që vatha jonë shqiptare të jetë e bashkuar në një shtet, duam që kombi ynë të valëvisë flamurin kuqezi dhe duam që shoqëria jonë të përparojë intelektualisht! Dy të parat janë realizuar, - ne kemi shtetin tonë, flamurin tonë, - ajo e treta, përparimi intelektual i shoqërisë tonë, është ajo që fatmirësisht ndodh në një shkollë që mban emrin “Ismail Qemali”. Ndaj, mirënjohja ime është e thellë për ata që para 60 vitesh shkelën në këtë shkollë, u diplomuan - ato ishin vite të vështira për Shqipërinë - po ai 60-vjetor, edhe pse përkon me moshën e gjyshërve tanë, për ta përkon me rininë e tyre, ndaj dhe do doja shumë që kjo shkollë, të vazhdojë dhe të jetë një motorr energjie e jashtëzakonshme për qytetin,” u shpreh Veliaj.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se lista e personaliteteve të dalë nga kjo shkollë është e gjatë, ndërsa veçoi njërin prej tyre, ish-kryeministrin Pandeli Majko. “Doja t’i thoja kryetarit Erion Veliaj, që vërtet “Sami Frashëri” prodhon ministra, por kjo shkollë prodhon kryeministra, sepse në krye të listës pashë mikun tonë Pandeli Majko, një shkollë me tradita që na bën të gjithëve krenarë. Shumë faleminderit edhe kryetarit, që në fakt, si ish gjimnazist i “Sami Frashërit”, emocione mund të ketë më shumë atje, - por si Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka të njëjtin përkushtim, të njëjtën dashuri dhe përgjegjshmëri për të gjitha shkollat,” tha ministrja Kushi.
Tiranapost.al