Shënime në Blog

Ne nuk kemi të drejtë t’u kërkojmë falje ukrainasve

Federata ruse është një vend racist. Ky racizëm post-perandorak që ka mbetur i pandryshuar me kalimin e kohës i shtrin rrënjët e tij në ndërgjegjen tonë kolektive e po ashtu në kulturën tonë, në gjuhën tonë dhe në konceptin që kemi për botën.
Ne nuk kemi të drejtë t’u kërkojmë falje ukrainasve

Nga Sergei Lebedev/ Edhe një herë, pas shumë vitesh lufte të ftohtë, Rusia e sulmoi ushtarakisht Ukrainën. Dita e Fatkeqësisë. Më e zeza ditë e historisë sonë. Sulmi, për të cilin u paralajmëruam, nuk erdhi aq papritur. Në fakt, helmi i armiqësisë kishte kohë që vlonte.

Shumë thonë sot se presidenti Putin është i vetmi përgjegjës dhe se rusët janë kundër luftës, megjithëse kanë frikë ta shfaqin hapur këtë bindje. Ndoshta një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë është kundër luftës, kryesisht për arsye të interesit vetjak që t’i pret mendja. Megjithatë, kjo nuk na pengon të ngremë pyetjet se si zhvillohet kjo luftë nga pikëpamja politike dhe psikologjike. Flitet për çështjen e racizmit rus post-perandorak, i cili ishte dhe mbetet ende premisë bazë e politikave agresive të Putinit, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, dhe që nuk do të zhduket vetvetiu edhe nëse Putini largohet.

Federata ruse është një vend racist. Ky racizëm post-perandorak që ka mbetur i pandryshuar me kalimin e kohës i shtrin rrënjët e tij në ndërgjegjen tonë kolektive e po ashtu në kulturën tonë, në gjuhën tonë dhe në konceptin që kemi për botën dhe rrënjoset jo në një, jo në dy, por në dhjetëra vende që formojnë një hierarki hibride të shovinizmit fluid. Në mesin e viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, kur Rusia ishte në luftë me Çeçeninë, qëndrimet raciste godisnin njerëzit e Kaukazit. Madje ekzistonte një përkufizim gjysmë zyrtar: “Person i kombësisë kaukaziane".

“Fytyrën e kombësisë kaukaziane” propaganda e shtetit kërkoi ta shndërronte në fytyrë të armikut, të pushtuesit, të terroristit. Në përfytyrim të së keqes. Pastaj, kur Çeçenia më në fund u pushtua, shumë punëtorë nga vendet e Azisë qendrore – Taxhikistan, Uzbekistan, Kirgistan e të tjerë – erdhën në Rusi për të kërkuar punë. Kështu u shfaq një tjetër imazh racist, që mbështetej nga kultura popullore: ai i njeriut të "verdhë" aziatik, një krijesë e pistë e dorës së dytë, krijesë injorante por mendjemprehtë, që duhej t'u shërbente zotërinjve të bardhë që ishin pasuruar jashtëzakonisht shumë brenda një kohe të shkurtër.

Dy shembujt e përmendur paraqesin një lloj racizmi të ndërtuar nga kontrasti i qartë midis "ne" dhe "atyre", të tjerëve, qenieve të rrezikshme të dorës së dytë. Ekziston edhe një lloj tjetër racizmi, ai kundër popujve të Ukrainës dhe Bjellorusisë, bazuar në modelin paternalist dhe etikën sovjetike të "familjes së kombeve". Ukrainasit dhe bjellorusët konsiderohen fqinjë, banorë të kombeve "vëllazërore", por të vendosur më poshtë kësaj shkalle hierarkike imagjinare familjare: ata janë si rusët, por disi më poshtë.

Rusët kanë një nivel më të lartë. Ndonjë studim serioz do të zbulonte dhjetëra motive të tjera të racizmit ndaj shteteve përbërëse të Federatës Ruse. Ky racizëm i shumëanshëm është pasojë e drejtpërdrejtë e historisë perandorake ruse dhe politikës së saj koloniale. Për shtatëdhjetë vjet sistemi sovjetik postuloi "miqësinë e popujve" dhe barazinë mes kombeve. Por në të vërtetë, ndodhën pushtime dhe dëbime të panumërta; lëvizjet për pavarësi kombëtare u neutralizuan duke kaluar në heshtje të detyruar, u inkurajua kolaboracionizmi dhe refuzimi i identitetit kombëtar në favor të "sovjetikes".

Megjithatë ky mjet shtypës nuk mbeti tipar i veçantë i projektit komunist sovjetik. Është shumë e vështirë sot të gjesh ndonjë përqindje të konsiderueshme të popullsisë ruse të etur për të ringjallur ideologjinë komuniste. Ama nga ana tjetër, racizmi post-imperialist, është mëse i gjallë.

Udhëheqja politike ruse nuk e konsideron Ukrainën protagoniste të historisë dhe fatit të saj vetjak. Në fjalimin e tij të gjatë për të justifikuar luftën, Vladimir Putin nuk dha vetëm një mësim historik të pakërkuar për Ukrainën. Në përputhje me logjikën perandorake ruse, Putini është duke i mohuar Ukrainës të drejtën për të qenë Ukraina e vërtetë.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për pavarësinë e shtetit, por për vetë kombin. Ne po flasim për një rikthim të tmerrshëm te racizmi post-perandorak, për shkak të të cilit në territoret që Rusia historikisht i konsideron "të sajat" ekzistojnë vetëm kombësi vartëse dhe dytësore. Në rastin më të mire, këto vende trajtohen me përbuzje, ose i nënshtrohen vetëm bindjes ndaj urdhrave. Fatin e tyre e shkruajnë të tjerët.

Fatkeqësisht, unë besoj se këto qëndrime me vetëdije a pa vetëdije gjenden te një përqindje e konsiderueshme e popullit të Federatës Ruse. Edhe në skenarin më optimist të së ardhmes – pra të rënies së regjimit të Vladimir Putinit - do të mbetej ende një pyetje pa përgjigje: çfarë do bëjmë me racizmin post-perandorak? Çfarë të bëjmë me të, duke qenë se është një racizëm që përshkon ndjenjën e shtetit rus, politikës ruse, jetës ruse në atë masë sa nuk vërehet më as së brendshmi?

Do të ishte naiv mendimi se për të zgjidhur problemin njëherë e përgjithmonë do të mjaftonin vetëm ekonomia e tregut dhe praktikat demokratike. Në fund të fundit, lufta e Rusisë kundër Ukrainës është ndër të tjera shenjë e kolapsit moral dhe njerëzor të kulturës ruse, të një kulture ku shumë përfaqësues të shquar - nga Dostojevski dhe Bulgakov te Brodski dhe Sollzhenjicini - u prekën gjithashtu nga virusi i imperializmit, nga parimi i "epërsisë" së gjuhës ruse dhe të drejtave të saj të veçanta.

Tani që fjalët "rus" dhe "rusët" janë bërë ulçera lebroze, ne rusët duhet ta rimendojmë nga e para kulturën, historinë, sistemin tonë politik. Botës nuk i duhet vetëm një Rusi pa Putinin. Bota ka nevojë për një Rusi që ka hequr dorë përgjithmonë nga ndërgjegja perandorake.

Shumë prej të njohurve dhe miqve të mi rusë sot u kërkojnë falje ukrainasve. Mendoj se është shumë herët për të kërkuar falje. Ne, qytetarët rusë, nuk e kemi ende të drejtën ta bëjmë këtë. Këtë të drejtë do ta kemi vetëm kur kriminelët-pushtetarë të dalin përpara drejtësisë dhe të marin dënimin e merituar. Nëse kjo nuk ndodh, për ne s’mund të ketë falje.

*Sergei Lebedev është shkrimtar rus. Librat e tij konsiderohen gjerësisht nga kritika letrare si manualët më të mirë për të kuptuar Rusinë e sotme. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.