Sokol Balla:
Humbe edhe betejen me Historine. Te mundi dhe Ajo. Tani nuk je thjesht e Shkuara. Je pjesa me e shemtuar e saj. Ne fund nuk e bere dot pis Shqiperine. E lodhe, e gjakose, e drobite. Por ajo fitoi mbi ty. Tani te lutem, ktheji dhe parate!
Ky është reagimi në rrjetet sociale i gazetarit Sokol Balla, pas shpalljes së bujshme Persona non Grata të Sali Berishës nga Amerika. Balla e quan Berishën si pjesë të shëmtuar të historisë: Tani te lutem, ktheji dhe parate, i drejtohet ai.
Ish kryeministri dhe familja e tij: Liri Berisha, Argita Berisha Malltezi dhe Shkëlzen Berisha nuk lejohen të shkelin në Shtetet e Bashkuara.
Shpallja u bë nga Sekretari amerikan i Shtetit i cili në deklaratën e plotë akuzon liderin historik të PD si të përfshirë në korrupsion dhe minues të demokracisë në Shqipëri.
Vetë Berisha ende nuk ka reaguar, por një qëndrim pritet të mbajë publikisht.
Deklarata e plotë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken:
Sot unë bëj publike shpalljen Non Grata të Sali Berishës, ish president i Shqipërisë, ish kryeministër i Shqipërisë dhe ish deputet i parlamentit shqiptar për shkak të përfshirjes së tij në akte korruptive.
Në cilësinë e tij zyrtare , në veçanti si Kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha u përfshi në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes duke shpërdoruar besimin e popullit shqiptar tek institucionet e tyre qeveritare dhe tek zyrtarët publikë.
Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.
Kjo shpallje është bërë nën Seksionin 7031 (c) të Departamentit të Shtetit, Foreign Operations, dhe Related Programs Appropriations Act, 2021.
Përveç Sali Berishës, përcaktoj publikisht si të papërshtatshëm për të udhëtuar drejt SHBA-ve, edhe bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij Shkëlzen Berisha dhe vajzën, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.
Kjo shpallje riafirmon angazhimin e përkrahjes së SHBA-ve për reformat politike kryesore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete si ky për të promovuar përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe në nivel global.
*Tiranapost.al.