Zvicra heq dorë nga neutraliteti. Do të miratojë sanksionet e BE-së kundër Rusisë

Zvicra ka njoftuar se do të heqë dorë nga neutraliteti në favor të miratimit të sanksioneve kundër Rusisë. Presidenti federal zviceran Ignazio Cassis tha se sanksionet e Zvicrës do të jenë në përputhje me ato të miratuara tashmë nga Bashkimi Evropian.
“Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur sot të miratojë plotësisht sanksionet e BE-së”, tha Cassis gjatë një konference për shtyp.
“Është një veprim i pashembullt i Zvicrës, e cila ka qëndruar gjithmonë neutrale më parë. Sulmi i Rusisë është një sulm ndaj lirisë, një sulm ndaj demokracisë, një sulm ndaj popullatës civile dhe një sulm ndaj institucioneve të një vendi të lirë. Kjo nuk mund të pranohet në lidhje me të drejtën ndërkombëtare, kjo nuk mund të pranohet politikisht dhe kjo nuk mund të pranohet as moralisht”, shtoi Cassis.
Duke folur pas një takimi të jashtëzakonshëm të Këshillit Federal të Zvicrës, Cassis theksoi se "në këto ditë të errëta", Zvicra solidarizohet me popullin e Ukrainës dhe shpreson se sanksionet do të inkurajojnë Kremlinin të "ndërrojë mendje".
“Pasi kemi nënshkruar Konventën e Gjenevës për të Drejtat e Njeriut, ne jemi të lidhur me rendin humanitar”, tha Cassis. “Demokracitë e tjera do të mund të mbështeten te Zvicra; ata që mbrojnë të drejtën ndërkombëtare do të mund të mbështeten në Zvicër; shtetet që mbrojnë të drejtat e njeriut do të mund të mbështeten te Zvicra”.
Zvicra do të ngrijë asetet e "personave të listuar" dhe gjithashtu do të sjellë në fuqi një ndalim hyrjeje për oligarkët rusë që theksohen në paketën e sanksioneve të BE-së, sipas Presidentit Federal Zviceran.
Cassis tha se Zvicra po mbyllte hapësirën e saj ajrore për të gjitha fluturimet nga Rusia, duke përfshirë avionët privatë, me përjashtim të fluturimeve humanitare, fluturimeve të kërkimit dhe situatave emergjente.
Ministrja zvicerane e Drejtësisë Karin Keller-Sutter tha se ndalimi i hyrjes do të ndikojë "oligarkët me kombësi ruse ose ukrainase, të cilët janë veçanërisht të afërt me presidentin rus Vladimir Putin".