Lajme nga Bota

Delegatë rusë dhe ukrainas thonë se ka përparime nga bisedimet e deritanishme

Delegatë rusë dhe ukrainas thonë se ka përparime nga
Delegatë të Rusisë dhe Ukrainës janë shprehur pozitivisht, përpara zhvillimit të negociatave të tjera që do të zhvillohen këtë javë.

Negociatori ukrainas dhe këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak tha se bisedimet ishin bërë më konstruktive.

“Rusia tani e kupton që ne nuk do të pranojmë asnjë vendim të imponuar. Rusia tashmë ka filluar të flasë në mënyrë konstruktive. Mendoj se do të arrijmë disa rezultate brenda disa ditësh”, tha ai në një video të postuar në internet.

Leonid Slutsky, një delegat rus tha se kishte pasur përparim të rëndësishëm dhe ata shpresonin që së shpejti të arrinin në një "pozicion të përbashkët", raporton Reuters.

Agjencia shtetërore e lajmeve RIA tha se ndërsa ai krahasoi gjendjen fillestare të bisedimeve dhe ku janë tani, u shpreh se ka "përparim thelbësor".

“Sipas pritshmërive të mia personale, ky përparim mund të shndërrohet në ditët në vijim në një qëndrim të përbashkët të të dy delegacioneve, në dokumente për nënshkrim”, tha Slutsky. Nuk ishte e qartë se cili mund të jetë qëllimi i ndonjë dokumenti të tillë.

Tre raunde bisedimesh midis dy palëve në Bjellorusi, së fundmi të hënën e kaluar, ishin fokusuar kryesisht në çështjet humanitare dhe çuan në hapjen e kufizuar të disa korridoreve për civilët për t'i shpëtuar luftimeve.