Stil jete

Një studim i realizuar nga studiues të institucioneve prestigjioze si MIT, Carnegie Mellon, Oxford dhe UCLA ngre shqetësime mbi ndikimin e përdorimit të tepërt të chatbotëve me Inteligjencë Artificiale në aftësitë tona njohëse.

Sipas eksperimentit, pjesëmarrësit që përdorën një asistent me AI për vetëm 10-15 minuta në detyra që kërkonin arsyetim matematikor dhe kuptim të leximit, i përfunduan ushtrimet më shpejt. Megjithatë, kur mjeti iu hoq, saktësia e përgjigjeve të tyre ra me rreth 20%.

Studiuesit vunë re se përdoruesit e AI jo vetëm që bënin më shumë gabime, por gjithashtu shmangnin pyetjet e vështira pothuajse dy herë më shpesh sesa ata që nuk kishin përdorur fare asistentin artificial.

Autorët e studimit e përshkruajnë këtë fenomen si efekti i “bretkosës që zien ngadalë”, duke paralajmëruar se delegimi i procesit të të menduarit te makineria mund t’i privojë trurit tonë sfidat mendore të nevojshme për të zhvilluar dhe ruajtur aftësitë bazë të arsyetimit.

Për të përfituar nga produktiviteti që ofron Inteligjenca Artificiale pa dëmtuar aftësitë njohëse, ekspertët rekomandojnë një qasje më të kujdesshme: para se t’i kërkoni ndihmë AI, përpiquni ta zgjidhni problemin vetë për 5-10 minuta. Kjo ndihmon në aktivizimin e mendimit kritik dhe ruajtjen e aftësive intelektuale në afatgjatë.