Ekonomia

Banka Botërore miraton 723 milionë dollarë mbështetje emergjente për Ukrainën

Banka Botërore miraton 723 milionë dollarë mbështetje
Banka Botërore ka miratuar një paketë kredish dhe garancish për Ukrainën në total 723 milionë dollarë.
Financimi do të ndihmojë qeverinë ukrainase të paguajë për shërbimet qeveritare, duke përfshirë pagat për punonjësit e spitaleve, pensionet për të moshuarit dhe programet sociale për të pambrojturit”, tha banka në një deklaratë të hënën.

Banka tha se po përgatit 3 miliardë dollarë shtesë në mbështetje të Ukrainës dhe vendeve fqinje, të cilat kanë pranuar më shumë se 1.7 milionë refugjatë që nga fillimi i pushtimit rus.

“Grupi i Bankës Botërore po ndërmerr veprime të shpejta për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj përballë dhunës dhe përçarjes ekstreme të shkaktuar nga pushtimi rus”, tha në një deklaratë presidenti i Bankës Botërore, David Malpass. “Grupi i Bankës Botërore qëndron përkrah popullit të Ukrainës dhe rajonit. Ky është i pari nga shumë hapa që po ndërmarrim për të ndihmuar.”

Financimi i njoftuar të hënën përfshin 350 milionë dollarë kredi shtesë, së bashku me garancitë në total prej 139 milionë dollarësh nga Holanda dhe Suedia, tha banka. Financimi i granteve prej 134 milionë dollarësh do të vijë nga Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Letonia, Lituania dhe Islanda. Japonia po siguron 100 milionë dollarë financim shtesë, tha banka.