Lajme nga Bota

Tmerri në kopshtin zoologjik të Kievit

Tmerri në kopshtin zoologjik të Kievit

Lufta në Ukrainë dhe sidomos sulmet e përqëndruara ndaj Kievit i kanë ndjerë edhe kafshët. Qetësia është prishur edhe në kopshtin zoologjik të Kievit.

Elefanti aziatik Horace është aq i tmerruar nga shpërthimet saqë i është dhënë qetësues. Zebrat po mbahen brenda aktualisht, pasi granatat i shkaktuan panik.

Dhe lemuri Maya ishte aq e tronditur sa e braktisi fëmijën e saj të porsalindur këtë javë, madje tentoi ta vriste.

Kopshtet zoologjike kanë qenë shpesh dëme kolaterale në luftë në mbarë botën. Dhe lufta po prek tani kopshtin zoologjik të Kievit.

Kafshët po shfaqin gjithnjë e më shumë shenja stresi. Ato struken nga sirenat e sulmeve ajrore dhe shpërthimet që kumbojnë gjatë gjithë ditës. Të shtënat me armë shpesh mund të dëgjohen edhe gjatë natës.

Duke u frikësuar nga më e keqja - dhe duke kërkuar strehim nga sulmet në lagjet e tyre - rreth 50 anëtarë të stafit janë zhvendosur dhe po jetojnë aty gjatë gjithë kohës, duke u kujdesur për kafshët. Ata kanë marrë me vete edhe anëtarët e familjeve të tyre, rreth 30 gjithsej.

Po nëse njerëzit e kanë të paktën të lehtë të kuptojnë ç`po ndodh, për kafshët është edhe më e vështirë.