Aktualitet

Si e ka ndjekur Edi Rama këto ditë presidentin Zelensky?!

Si e ka ndjekur Edi Rama këto ditë presidentin Zelensky?!

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të bërë me qytetarët e Rrogozhinës në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, u ndal te lufta në Ukrainë.

Rama tha që e ka ndjekur presidentin Zelensky, i cili deri dje ishte njësoj si gjithë të tjerët, ndërsa sot është në front i gatshëm të japë jetën për vendin e tij.

Ja çfarë tha kryeministri për luftën në tërësi, ngjashmëritë tona si vend me Ukrainën dhe presidentin Zelensky:

“Do doja të mos kisha qenë këtu në një kohë, kaq të ngarkuar, kaq të zymtë, për ne, për ju, për njerëz të ngjashëm me ne që jetojnë në të njëjtin kontinent me ne, që si ne ëndërrojnë që vendi i tyre të bëhet një vend anëtar i denjë i BE dhe që tani që flasim e kanë të pamundur të mblidhen kështu siç jemi mbledhur ne e të flasin apo dëgjojnë qetësisht pa pasur frikë se çdo të ndodhë me vendin, atdheun e jetët e tyre.

Ajo që po ndodh sot para syve tanë është diçka që realisht të gjithë e kishin marrë si një gjë që nuk do të ndodhte më kurrë që pas Luftës së Dytë Botërore. Agresioni ushtarak mbi një vend tjetër, demokratik, ku qeverisin njerëz të zgjedhur nga ai popull për të imponuar me forcën e armëve një vizion komplet tjetër të botës, mirëpo ja që po ndodh. Lufta jo më e ftohtë, por e nxehtë, lufta midis dy kampeve që qëndronin të ngrira për aq shumë vite e dekada, por një luftë me gjak, me të vrarë, me qindra mijëra njerëz që shpërngulen nga vendi i tyre, nga shtëpia e tyre për të shkuar diku tjetër vetëm e vetëm që të ruajnë jetën e tyre. Dhe një president i zgjedhur i cili deri dje ishte njësoj si gjithë të tjerët në shtëpinë e tij, në zyrën e tij, në detyrën e tij, ndërsa sot është në front dhe është gati të japë jetën për vendin e tij. E gjitha kjo është reale dhe ndodh ndërkohë që ne po flasim, nuk është film apo dokumentar.

Kjo ndodh për shkak se ata njerëz nuk duan të humbasin atë që kanë. Dhe ajo që kanë është shumë e ngjashme edhe nga pikëpamja ekonomike, sociale, e të gjitha problematikave të një vendi që vjen nga një e shkuar shumë e errët e që do të dalë në dritë…me atë që përjetojmë ne. Ata në këtë moment ndjejnë tani se sa e çmuar dhe padorëzueshme është ajo që kanë, liria e tyre, mundësia për të jetuar e për të marrë frymë lirisht, mundësia për të qenë bashkë me familjet e tyre, pavarësisht nëse jetojnë bashkë apo jo, apo nëse janë në emigracion. Edhe ata që janë në emigracion po kthehen për të luftuar për vendin e tyre.

Ukraina nuk është Zvicra, Anglia, Franca, Gjermania nga ekonomia dhe zhvillimi, por ja pra që sidoqoftë qenka aq e çmuar ajo që papritur një forcë e verbër kërkon të të marrë, sa ti je gati të japësh jetën. Dhe në fund të fundit pse, për çfarë arsye: për të mos negociuar lirinë, për të vendosur vetë për vendin e tyre, jo thjesht për të ngrënë, për të shkuar në punë, për të rritur fëmijët, gjë që njerëzit mund ta bëjnë edhe në pushtim. Por kjo nuk mjaftonka.

Para se të vija këtu po dëgjoja atë që tha presidenti i Ukrainës, nga një bodrum i errët, që tha ne nuk kemi asgjë tjetër për të humbur përveç lirisë, që do të thotë edhe jetën.

Është një moment ku ne mund të bëjmë aq sa mund të bëjmë si vend, por edhe një moment ku ne mund të nxjerrim një mësim, jo më nga librat, luftërat e të shkuarës apo historitë, por nga një luftë që po ndodh para syve tanë. Nuk duhet ta marrim për të mirëqenë dhe ta zhvleftësojmë deri në përçmim atë që kemi arritur dhe atë që kemi sot.” tha Rama.